Plani ‘’misterioz’’ i ndërkombëtarëve

As Qeveria e Kosovës, e as Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë detaje për planin që Emisari Special i BE-së, Miroslav Lajçak, paraqiti të shtunën para liderëve në Prishtinë dhe Beograd.

Njohës të rrethanave politike, shprehen optimistë se plani që shënon një hap tjetër të përpjekjeve të ndërkombëtarëve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, përmban një qasje më të balancuar në raport me dy vendet.

Politologu Fidan Ukaj, beson se bëhet fjalë për një plan sekuencimi që synon të shtyjë palët drejt zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese.

“Në diskutim me akterët e rëndësishëm me akterët evropian dhe amerikan mendoj se do ketë një plan final të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjeve që do u prezantohet palëve dhe pastaj do jetë ajo faza merre ose lëre dhe brenda planit do jenë të gjitha marrëveshjet e arritura dhe afatet kohore të përcaktuara nga ndërkombëtarët”, tha Ukaj.

Pos themelimit të asociacionit sa më parë, që është kërkesë edhe e ndërkombëtarëve, politologu Ukaj pret që në plani i ri paralelisht të kërkoj edhe zbatimin e obligimeve të Serbisë.

“Sigurisht se aty paralel janë futur edhe obligimet e Serbisë, qoftë në zbatim të marrëveshjes për energji, targat, njohjen e dokumentacionit, vulës doganore, por sigurisht se formimi i Asociacionit sipas ndërmjetësuesit do jetë pika kyqe e këtij plani që tashmë është prezent edhe para palëve”, tha Ukaj.

Ndërkohë, profesori universitar Basri Muja, thekson se plani mund të mbahet larg syve dhe veshëve të publikut deri në një fazë të caktuar pikërisht për t’u shmangur mundësia e presionit publik ndaj pjesëmarrësve dhe ndërmjetësuesve.

Profesori Muja mbështet prioritet për Kosovën për siguri territoriale e saj. Sipas tij, kjo duhet të respektohet edhe nga ndërmjetësuesit.

“Mediatorët duhet ta marrin parasysh prioritetin e Kosovës se pse e kam që ngjarjet e shtatorit mundë ta ndryshojnë situatën jo vetëm në veri të Kosovës”, tha Muja.

Muja shprehet optimist se plani në fjalë mundë të jetë më i balancuar nga ai i paraqitur në takimin e shtatorit në Bruksel, por skeptik për arritjen e një marrëveshjeje.

“Unë shpresoj që do jetë më i ekuilibruar edhe më pro Kosovë sado që do ketë edhe pika që do duhej të jenë të pranueshme për Serbinë që të ia ‘’ruajnë fytyrën Serbisë’’, por nuk pres që dy palët janë të gatshme të arrijnë marrëveshje. Qështja është si të menaxhohet faji për dështimin e këtyre bisedimeve dhe shpresoj që Kurti të dijë që të mos jetë Kosova fajtore për dështimin e këtij rundi”, tha Muja.

Ndërkaq, sulmet e 24 shtatorit janë cilësuar nga Bashkimi Evropian si terroriste, teksa është kërkuar nga Serbia bashkëpunim i plotë dhe pakushte në zbardhjen e tyre.

Parlamenti Evropian, pak ditë më parë përmes në rezolute ka kërkuar angazhim më intensiv nga ndërmjetësuesit e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. /ayvlive.tv

Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: