Nënkryetari i Listës Serbe, i njohur si “bossi” i veriut të Kosovës, krimineli që është në Listën e Zezë të SHBA-së dhe i kërkuar nga institucionet e Drejtësisë në Kosovë, Milan Radoiçiq ka kërcënuar kryeministrin Albin Kurti, duke i thënë se “koha do të tregojë se kush do ta pësojë dhe do ta paguajë në fund”.
Në deklaratën e lëshuar nga Lista Serbe, thuhet se Radoiçiq e ka quajtur Kurtin pushtues.
“Kërcënimi që i dërguat sot Listës Serbe nga Brukseli dhe në radhë të parë popullit serb, tregon qartë se ju Albin Kurti nuk doni dialog, nuk doni paqe, por doni konflikte dhe hakmarrje ndaj atyre që nuk mund t’i blini apo thyeni. Prandaj e shfaqët fytyrën tuaj të vërtetë para syve të të gjithë komunitetit ndërkombëtar sot”, ka thënë ai.
“Jemi të vetëdijshëm se kërcënimi juaj nuk është naiv sepse në të kaluarën keni treguar se mund të shkaktoni kaos, të nxisni konflikte dhe urrejtje, të abuzoni me institucionet. Dua t’ju them se nuk na frikësoni as ne në Listën Serbe, as popullin serb”, ka shtuar ai.
Ky kërcënim i kriminelit Radoiçiq ka alarmuar profesorin dhe analistin politik Milazim Krasniqin.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi thotë se duhet të mirret seriozisht kërcënimi i kriminelit Radoiçiq, prandaj kërkon nga KFOR-i që të parandalon aksionet e ekstremistëve serbë në veri.
“Kërcënimi i sotëm i Millan Radojçiqit duhet të mirret seriozisht. Dështimi i sotëm i dialogut në Bruksel dhe faturimi i fajësisë për dështimin mbi Albin Kurtin, tash mund të shfrytëzohet për aksione nga ekstremistë serbë në veri. Bile jo vetëm në veri. Nëse KFOR-i nuk i parandalon, veprimet serbe nga sot janë të pashmangshme. Pra, nëse KFOR i përmbahet qëndrimit se ky është problem politik, atëherë pretendimet e Radojçiqit dhe Serbisë Serbisë, mund të jenë krijimi i një SAO serbe në atë territor. Thjesht nga sot, kriza ka shkrirë dhe orteku i saj mund të rrokulliset më shpejt”, shkruan Krasniqi në Facebook.