Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar shkarkimin e Qeverisë Kurti nëpërmjet mocionit të mosbesimit.
Haradinaj këtë e ka parashtruar në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes nga foltorja e Kuvendit të Kosovës. Kreu i AAK-së ka thënë se është detyrë e Parlamentit që ta nxjerrë Qeverinë Kurti nga drejtimi i gabuar.
“Ne e kemi votuar këtë Qeveri. Ta ndihmojmë Kurtin, pra ta shkarkojmë me mocion. Sikurse Kosova të bashkonte votën në mocionin për shkarkimin e Qeverisë Kurti, mundësitë tona politike do të vazhdonin në një situatë të re dhe moment të ri politik. Nëse ne heshtim, për fat të keq ne po bëhemi bashkëpjesëmarrës për gjendjen në vend”, ka deklaruar ai.
“Muna me i listu humbjet dhe goditjet për Kosovën, janë të shumta. I keni dëshmu shumë prej jush, i thonë mediat, po na thonë edhe aleatët tonë. Tani, nëse ne në parlament e shohim Qeverinë tonë që udhëheq vendin në rrugëtim të gabuar dhe i sjell goditje vendit, si të veprojmë ju lutem. Nëse dikush prej nesh ende shpreson që Qeveria Kurti do ta nxjerrë Kosovën nga drejtimi i gabuar dhe nga sanksionet, jam i bindur se do të del gabim. Pra, nuk besoj që ne duhet të presim që ai që e ka sjellë Kosovën në pozitën e të ndëshkumit, të shpresojmë që ai do ta nxjerrë”, ka thënë më tej Haradinaj.