Nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku ka reaguar pas dështimit të radhës në dialogun Kosovë-Serbi. Çitaku përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kurti në Ohër ka pranuar vet që asociacioni do të jetë në qendër të marrëveshjes.
Ajo thotë se njohja de facto në realitet ekziston.
“Kryeministër, ju në Ohër e keni pranuar një marrëveshje e cila në krye e ka mosnjohjen reciproke, e në qendër jo vetëm asociacionin, por edhe potencialisht autonominë politike. E sa për njohje de facto, ai realitet ekziston shumë kohë para jush”.
Nënkryetarja e PDK-së thotë se ajo barrën e dështimit të procesit, Kosova do ta paguajë rëndë.
“Sidoqoftë, një situatë si kjo sot, ku barrën e dështimit të procesit, sipas ndërmjetësve, e merr Kosova, do ta paguajmë rëndë”.
Ajo thotë se “arroganca e frazeologjia boshe e populliste nuk pinë ujë as në Bruksel e as në Washington”.
Çitaku thotë se Serbia është po ajo që ka qenë gjithmonë. Si në Rambuje, njëjtë edhe në Vienë më vonë, e tash në Bruksel.
“Po fati i Serbisë nuk është brenga jonë. A duan të hyjnë ata në BE a jo, është zgjedhje e tyre. Ne duhet të brengosemi për të ardhmen evropiane të vendit tone”, ka deklaruar Çitaku.