Gazetarja serbe nga Uashingtoni: SHBA-të e kanë qortuar ashpër Kurtin

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka qortuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “veprime të pakoordinuara në Mitrovicën e Veriut”.

Vendimi i fundit, ndonëse e shtyrë për të dytën herë me radhë, për lirimin e objektit komunal, i cili i takon Komunës së Mitrovicës së Veriut, por shfrytëzohet nga struktural ilegale të Serbisë në Lagjen e Boshnjakëve për një kohë të gjatë, pohon DASH-i, është në kundërshtim me kërkesat e tyre për të shmangur ri-tensionimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës.

Kështu të paktën ka shkruar gazetarja serbe nga Uashingtoni, Ksenija Pavlovic McAteer, në portalin e saj të lajmeve të titulluar “The Pavlovic Today” duke u thirrur në burime brenda Departamentit Amerikan.

“Ne jemi të vetëdijshëm se Komuna e Mitrovicës së Veriut ka marrë një vendim për t’u kërkuar punonjësve të disa zyrave të qeverisë serbe të largohen nga ndërtesa ku ata kanë funksionuar”, thotë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, citon “The Pavlovic Today”.

Zëdhënësi i DASH-it duke folur për rëndësinë e procesit të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel ka thënë se “ne i konsiderojmë këto veprime, të cilat nuk janë koordinuar me komunitetin ndërkombëtar, si të papajtueshme me kërkesat tona për të shmangur veprimet që mund të përshkallëzojnë situatën ose të perceptohen si përshkallëzuese”.

Komuna e Mitrovicës së Veriut, të premten pasdite, e ka shtyrë për herë të dytë ekzekutimin e vendimit për largimin e strukturave paralele të Serbisë nga hapësirat e objektit komunal.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, shtyrjen e vendimit për të dytën herë me radhë me arsyetimin se është në pritje të një raporti nga Inspektorati Komunal.

Atiq e ka obliguar Inspektoratin komunal që të faktojë rrethanat dhe arsyet e përdorimit të objektit në fjalë, “që mblidhen përmes vizitave në terren dhe komunikimin me të gjitha palët”, në afat prej 15 ditësh.

Por ndryshe arsyetimi i Atiq-it, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut, Nexhat Uglajnin tha se arsyeja kryesore e shtyrjes së ekzekutimit të vendimit ishte trysnia ndërkombëtare për të mos pasur tensione pak ditë para takimit të nivelit të lartë në Bruksel.

Një aksion për largimin e këtyre institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut, fillimisht ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por ishte shtyrë për dy javë.

Para kësaj, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin.