Lojërat Mesdhetare në Prishtinë, “çmenden” në Serbi: Politika u përzie në sport, aty u shfaq Albin Kurti

Kosova ka fituar të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030 – “Prishtina 2030”.

Kështu vendosi sot Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), që u mbajt në Heraklion të Greqisë.

Nga 66 delegatë sa ishin të pranishëm, 55 votuan pro Kosovës, tetë kundër dhe tre abstenuan.

Siç dihet, një nga vendet që ishte kundër që Kosova të fitojë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare ishte Serbia.

Komiteti Olimpik i Serbisë ka reaguar pasi Asambleja e Përgjithshme ia dha të drejtën Kosovës për të organizuar Lojërave Mesdhetare.

Komiteti serb e vlerësoi si skandaloz këtë vendim, teksa sipas tyre, sot pati edhe përzierje të politikës në sport, pasi para Asamblesë së Përgjithshme u paraqit edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili prezantoi kandidaturën, bashkë me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, dhe sekretarin e përgjithshëm të KOK-ut, Besim Aliti.

“Në Kuvendin e sotëm pa lajmërim paraprak për delegatët është paraqitur dhe ka folur Albin Kurti. Komiteti Olimpik i Serbisë ka reaguar ashpër dhe insistoi që vendimi për pritjen e MI 2030 të merret pas Lojërave Olimpike të vitit 2024, gjë që është praktikë në këto raste. Kryesia e ICMI-së refuzoi ta votojë këtë propozim të Serbisë dhe kështu delegatët i vuri para një fakti të kryer. Pavarësisht se kandidatët e tjerë u tërhoqën dhe përkundër presionit të madh për të marrë vendimin unanimisht, organizimi i Lojërave Mesdhetare u dha, por me kundërshtim të fortë nga përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Serbisë, me 8 vota kundër. Komiteti Olimpik i Serbisë dënon ashpër këtë lloj ndërhyrje të politikës në sport”, thuhet mes tjerash në reagimin e Komitetit Olimpik të Serbisë.