Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, nuk e ka fshehur ambicien e tij për ta udhëhequr Lidhjen Demokratike të Kosovës. Këtë e tha, duke u shprehur se është duke e menduar mundësinë për të garuar për të parin e partisë.
I pyetur nëse ka ambicie për të qenë kryetar i LDK-së, Hoti tha:
“Jam duke u mendu, nuk kam vendos të garoj ende, por nuk kam vendos as të mos garojë, jam duke e mendu…Nuk e kam vendos ende, sepse nuk mund ta vendosi pa u kry zgjedhjet në degë, e mandej të caktohet Kuvendi”, tha Hoti në Pressing, T7.
I pyetur nëse e mbështet Lumir Abdixhikun për kryetar të partisë, teksa LDK është në zgjedhje të mbrendshme, ai tha:
“Nuk jemi ende në atë pikë, ndoshta 40% të zgjedhjeve janë kry, kjo është çështje e brendshme nuk është momenti tash. Jemi ende në proces dhe tek kur kryhen kuvendet e degëve, mbildhet kuvendi dhe atëherë diskutohen kandidaturat për kryetar të partisë.”
Po ashtu, Hoti ka thënë edhe se vendimmarrja e Abdixhikut brenda partisë lë për të dëshiruar.
“Ai e ka punën e tij dhe e ka për obligim dhe e ka për dëtyrë që të menaxhoj partinë. Politikat e partisë, politikat e grupit parlamentar, të arrijë koordinimet dhe harmonizimet e brendshme në vendimmarrje të partisë e cila gjë duhet thënë që lë për të dëshiruar rreth debatit të brendshëm që duhet të kemi në mënyrë që të vijmë deri tek qëndrimet që duhet të mbajmë si grup parlamentar.”
Tutje deputeti Hoti përmendi bagazhin e tij shumë-vjeçar që ka nëpër institucione të vendit.
“Nuk mund të flas për veten por besoj që jam ndër deputetet më të zëshëm, në përputhje me orientimet që i ka LDK….Jam person që kam pas funksione në të gjitha pozitat”.
Gjithsesi sa i përket çështjes për paraqitjen e kandidaturës për kryetar të partisë, Hoti tha se “është obligim i secilit anëtar ta respektojë statutin e LDK-së”.