Kongresistja amerikane, Claudia Tenney, e cila është pjesë e kaukusit serb, i është drejtuar me një letër kryeministrit Kurti, në lidhje me situatën në Veri.
“Jam shumë e shqetësuar me tensionet e përshkallëzuara në Veri të Kosovës. Sot i kam dërguar letër kryeministrit Kurti, për të kërkuar nga ai zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të nënshkruar më 2013 për të siguruar të drejta dhe siguri për serbët e Kosovës”, ka shkruar ajo në Twitter, derisa ka publikuar edhe letrën e plotë.
Përveç krijimit të asociacionit, Tenney ka kërkuar nga Kurti edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Ju inkurajoj shumë ju dhe administratën tuaj për të mbajtur zgjedhje të reja për kryetarë të të komunave me shumicë serbe, të tërhiqni plotësisht forcat speciale në komunat me shumicë serbe dhe të krijoni asociacionin e komununave me shumicë serbe, sic është kërkuar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013”, thuhet në letër.
“Sic e dini, serbët e Kosovës bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit për kryetarë komunash në veri të Kosovës, si rezultat i politikave diskriminuese antiserbe dhe mungesës së progresit në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.”
Më pas ajo ka përmendur edhe hyrjen e kryetarëve të rinj të komunave veriore në ndërtesat komunale, duke shtuar se “fluksi i policisë speciale vetëm shërben për t’i ndezur tensionet dhe konfliktin sesa për të ofruar një zgjidhje politike afatgjatë për këto komunitete”.
Duke folur për krijimin e asociacionit, Tenney i ka shkruar Kurtit se serbët janë të lodhur duke pritur zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit 2013.
“Serbët e Kosovës janë të lodhur duke pritur për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit 2013 dhe me respekt iu kërkoj që të përmbushni këtë obligim të kahmotshëm”, ka shkruar ajo.
Në fund ajo ka shkruar se e pret me padurim ditën “kur shqiptarët dhe serbët të jetojnë krah për krah pa konflikt”.
“Detyrimet tuaja ekzistuese sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 duhet të përmbushen për të krijuar një paqe të qëndrueshme brenda Kosovës. Shpresoj të vazhdoj të punoj me ju për të zgjidhur një herë e përgjithmonë këtë konflikt dhe të pres me padurim veprimet e Qeverisë suaj për de-përshkallëzim dhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në fund.
*Kongresistja Claudia Tenney është pjesë e kaukusit serb (grup interesi me anëtarë të Kongresit ose senatorë për mbështjetjen e marrëdhënieve me një vend të caktuar).