Alon Ben-Meir, analist politik, konsulent dhe kolumnist i shumë medieve ndërkombëtare, ka listuar “pesë fakte”, të cilat, sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet t’u përmbahet për të ndryshuar trajektoren e Kosovës, posaçërisht në marrëdhëniet me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare dhe dialogun me Serbinë.
Njohësi amerikan i zhvillimeve socio-politike në Ballkanin Perëndimor, ka vlerësuar se është shumë e habitshme se përse kreu i ekzekutivit të një vendi që varet pothuajse ekskluzivisht nga mbështetja politike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), do të kundërshtonte rekomandimet e tyre.
Në një editorial të publikuar në portalin “Emerging Europe“, ai ka konsideruar se kryeministri Kurti do duhej të themelonte Asociacionin e Komunave me shumicë serbe që në krye të herës, ndërsa ka shtuar se bashkëpunimi BE-në dhe SHBA-të në këtë drejtim është çështje ekzistenciale për integrimet euro-atlantike të Kosovës.
“Sigurisht, në vend që të punonte krah për krah me BE-në dhe të gëzonte mbështetjen e saj, ajo ka përfunduar duke vendosur sanksione të ashpra ndaj Kosovës duke e shtyrë kështu procesin e integrimit”, ka shkruar analisti amerikan, i cili prej shumë kohësh merret me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Së dyti, kryeministri Kurti duket se nuk e ka vlerësuar faktin se Kosova për SHBA-në dhe BE-në është pjesë përbërëse e interesit të tyre të përgjithshëm strategjik në rajon, ka shkruar tutje Ben-Meir, veçanërisht pas përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar edhe më tej rajonin së bashku me Serbinë.
Ai ka thënë se në mënyrë që të zvogëlohet ndikimi i presidentit rus Vladimir Putin në rajon, bashkësia e organizuar ndërkombëtare duhet të akomodojnë disi presidentin serb Aleksandër Vuçiç, por jo duke e kompromentuar sigurinë kombëtare të Kosovës siç pandehet shpesh në diskursin publik.
“Kjo nuk do të thotë se refuzimi i Vuçiçit për të njohur Kosovën dhe mungesa e bashkëpunimit të tij janë të pranueshme, porse tjetërsimi i tij në mënyrë të panevojshme është kundërproduktive për interesat kombëtare të Kosovës ashtu edhe për interesat strategjike të SHBA-ve dhe BE-së”, ka shkruar Ben-Meir.
Ben-Meir, në pjesën e tretë të analizës së tij, ka theksuar se kryeministri Kurti ka humbur shumë kohë duke tentuar t’i bindë pjesëtarët e komunitetit serb të pranojnë pavarësisë dhe simbolet kombëtare të Kosovës me vendime “jo serioze” sikurse ajo e targave apo zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura në muajin prill në veri.
“Në të vërtetë, pavarësisht se sa larg mund të shkojë Serbia për t’i nxitur serbët e Kosovës që të përfshihen në çfarëdo lloj aktiviteti anti-shtetëror, ata nuk mund të kërcënojnë pavarësinë e Kosovës në asnjë mënyrë kuptimplote”, ka shkruar ndër të tjera analisti nga Uashingtoni.
Në pikën e katërt, ai e ka cilësuar “mjaft të çuditshëm” faktin se kryeministri Kurti ka kërkuar vazhdimisht të integrojë Kosovën në BE, por ai, siç ka thënë analisti amerikan, po e tjetërson vetë familjen që dëshiron t’i bashkohet, ndërkohë që ka dështuar të marrë masat e nevojshme për të përmbushur kushtet për integrime evorpiane.
“Ai duhet të ishte fokusuar në shumë nga ato që ka premtuar se do të bënte nëse zgjidhej. Kjo përfshin zhvillimin ekonomik, duke tërhequr investime vendore dhe të huaja për të ofruar mundësi punësimi dhe për të parandaluar ikjen e trurit që po ndikon në çdo industri dhe po gërryen strukturën sociale të Kosovës”, ka shtuar ai.
E në fund të analizës së Ben-Meir, thuhet se kryeministrin Kurti e ka injoruar edhe “faktin e pestë”, atë që presidenti serb është në dijeni se prosperiteti i Serbisë varet nga BE-ja dhe duhet të përmbushë standardet e BE-së, por njohja e pavarësisë së Kosovës mbetet një kusht qendror për anëtarësimin e Serbisë në BE.