Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë që mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës mbetet ende opsion, shkruan Gazeta Express.
Sipas tij mocioni është mënyra e duhur për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
“Mocioni është mënyra më e duhur dhe legjitime, është demokraci. Aktualisht opozita i ka votat sa me e iniciu mocionin, pastaj duhet ndihma e deputetëve të tjerë. Shpresoj që në një rrethanë të caktuar do ta arrijmë unitetin brenda opozitës, por po është opsion”, tha Haradinaj.
Tutje, kryetari i AAK-së deklaroi se zgjidhja e duhur për vendin do të ishte tërheqja e kësaj Qeverisë.
“Në Parlament pra Kurti dhe Qeveria e tij ka shumë llogari me dhënë, para kuvendit, para Kosovës. Po shpresoj poashtu që gjitha këto zhvillime e kanë në fund e që fundi është që të shkojë në shtëpi Qeveria Kurti”, tha ai.
Pas kësaj, ai y pyet nga gazetarët se “Çfarë nëse nuk shkon Qeveria Kurti?”
“Shkon, shkon”, është përgjigjur Haradinaj.
Më tutje Haradinaj deklaroi se ka thirrje që Qeveria të kthehet me aleatët.
“Shumë njerëz po i bëjnë thirrje Qeverisë sonë që të kthehet me aleatët. Me u kthye Amerikën, NATO-n, me BE-në. Fatkeqësisht Kurti dhe kjo Qeveri kanë zgjedhur rrugë tjetër. Pasojat po i rriten Kosovës, do t’i rriten edhe parashikimet nuk janë të mira për asnjë temë “, tha ai.