Rrjetet sociale kanë një ndikim të frikshëm mbi adoleshentët të cilët janë të prirur të realizojnë lloj-lloj sfidash të rrezikshme.
Së fundmi, një tjetër sfidë e paligjshme dhe tejet e rrezikshme mes shoferëve të rinj po përhapet në mbarë botën me rezultate tragjike në shumë raste.
Trendi më i fundit i sfidave te të rinjtë, në të cilin makina luan rolin kryesor, është i ashtuquajturi “surfing mbi makinë”.
Një veprim i tillë i pamatur dhe tejet i rrezikshëm fatkeqësisht në shumë raste përfundon në mënyrë tragjike me rënien e një ose më shumë personave nga automjeti në lëvizje duke sjellë plagosjen ose vdekjen e tyre.
Kështu ndodhi në SHBA në fillim të korrikut, kur një 16-vjeçar ra nga pjesa e siperme e një makine që udhëtonte me më shumë se 90 km/h, duke humbur jetën.
Një sfidë e tillë filloi në Shtetet e Bashkuara dhe është bërë modë në të gjithë botën, natyrisht edhe në Evropë. Videoja e fundit vjen nga Napoli, ku një i ri me shokët e tij ecën me shpejtësi 130 km/h.
Protagonistët e postuan videon në rrjetet sociale, duke sfiduar grupet e tjera të të rinjve të zonës që të bëjnë të njëjtën gjë./Albeu.com.