Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Kosova e kanë nënshkruar ditë më parë një marrëveshje për shkëmbimin dhe ruajtjen e informacioneve të klasifikuara, e cila u vlerësua si arritje historike nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Marrëveshja SHBA – Kosovë për masat e sigurisë për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara, u nënshkrua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadori Hovenier, pas një pune dyvjeçare rreth saj, njoftoi Ambasada amerikane në Prishtinë më 24 gusht.
“Kjo marrëveshje vë themelin për shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara. Ajo përfaqëson përkushtimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara për bashkëpunimin e vazhdueshëm të sigurisë me Kosovën”, tha Hovenier.
Përmes kësaj marrëveshjeje, sipas Ambasadës amerikane, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë ndërmarrë obligime për t’i mbrojtur informacionet e klasifikuara të njëra-tjetrës, duke e hapur rrugën për shkëmbimin e tyre.
Bazuar në këtë marrëveshje të nënshkruar nga Kurti e Hovenier, furnizimi me armë që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëhet në mënyrë sekrete.
“Jo vetëm shkëmbim të informatave, por edhe blerjen të ndryshe, të sistemeve të ndryshme të armatimit, ku ka të dhëna konfidenciale që mund të ketë një shtet, pra është kruciale që të mundësojë vazhdimin e bashkëpunimit dhe rritjen e bashkëpunimit në mes dy vendeve”, u shpreh Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes.
Kjo marrëveshje, po cilësohet si një nga më të rëndësishmet për Ministrinë e Mbrojtjes.
Shala: Ky veprim po reflekton në mbrojtjen e sigurisë sonë dhe avancimit të komponentes së Ushtrisë së Kosovës
E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Fillimisht, ai u shpreh se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, po dëshmon se SHBA është e përkushtuar maksimalisht për mbrojtjen e sigurisë tonë dhe avancimit të ushtrisë tonë.
“Vazhdimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në mes Kosovës dhe USA tregon dhe dëshmon që kjo e fundit është e interesuar që siguria kombëtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikes të mbrohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ky veprim pastaj po reflekton në mbrojtjen e sigurisë sonë dhe avancimit të komponentes së Ushtrisë së Kosovës”, deklaroi eksperti i sigurisë.
Sipas tij, është shumë e arsyeshme që furnizimi me armë të bëhet në mënyrë sekrete, përmes ligjit për informacionn të klasifikuar.
“Pentagoni përmes programit të gardës kombëtare ka ndikuar që FSK në planin e saj 10 vjeçar ta përmbyll me pjesën primare që është paisje teknike të karaterit të mbrojtjes për Kosovë. Dhe që këto veprime të zhvillohen duke ruajtur interesin kombëtar, unë mendoj dhe vlerësoj që është e arsyeshme të ndodhë përmes ligjit për informacione të klasifikuara”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.
Nga kjo marrëveshje, Kosova pritet të përfitojë në disa fusha, përfshirë në rritjen e aftësive për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial përmes shkëmbimit të informacioneve me SHBA-në, integrimin e plotë në strukturat e sigurisë Euro-Atlantike, si dhe zhvillimin e suksesshëm të Forcë së Sigurisë së Kosovës në një forcë mbrojtëse territoriale të suksesshme, shumetnike dhe që operon sikur NATO-ja.
Kjo marrëveshje vjen në kohën e duhur, sipas ambasadorit Hovenier, veçanërisht në kontekst me të gjerë të luftës së vazhdueshme prej agresori të presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës.
“Shkurtimisht, kjo marrëveshje pasqyron përkushtimin tonë për synime dhe vlera të përbashkëta, dhe për një të ardhme e cila është më e sigurt për të dy vendet tona”, tha Hovenier.
Halimi: Një marrëveshje e tillë rrit sektorin e sigurisë në Kosovë
Kurse, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, tha se kjo marrëveshje është konfirmim i mbështetjes së Amerikës për Kosovë.
Madje, tha se kjo shuan propaganda e kohëve të fundit, se kinse SHBA ia ka kthyer ‘shpinën Kosovës’.
“Sigurisht që një marrëveshje e tillë rrit sektorin e sigurisë në Kosovë, dhe është konfirmim i mbështjetjes së palëkundshme të Amerikës ndaj Kosovës, njëherit shuan të gjithë zërat shqetësues dhe propagandues që janë ngrit kohës së fundit, gjoja se Amerika i kthen shpinën Kosovës”, deklaroi Halimi për “Bota sot”.