Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hydajet Hyseni-Kaloshi, është dënuar me 500 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi ishte shpallur fajtor për mosraportim të pasurisë.
Aktgjykimi ndaj Hysenit është shpallur më 7 nëntor 2022 nga gjykatësi Adnan Kamberi, derisa aktakuza ishte ngritur më 7 tetor 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj Hysenit me rastin e dënimit me gjobë, ka shpallur aktgjykim me urdhër ndëshkimor, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Në arsyetimin e aktgjykimit ndaj Hysenit, thuhet se ai në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit ligjor në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit me rastin e marrjes se detyrës së deputetit.
Tutje, thuhet se deputeti Hyseni nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit prej 30 ditësh edhe pse ka qenë i njoftuar me kohë nga ana e zyrtares kontraktuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës për ta bërë deklarimin e pasurisë me rastin e marrjes së detyrës.
Në vendim thuhet se gjykata më 7 tetor 2022, ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj Hysenit për veprën penale “Mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” së bashku me shkresat e lëndës.
Andaj, gjykata duke u bazuar në këto prova, kishte vërtetuar se veprimet e Hysenit përbënin vepër penale të mosraportimit të pasurisë, duke shpallur edhe aktgjykimin dënues.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se aktgjykimi në fjalë është bërë i plotfuqishëm më 28 dhjetor 2022 dhe se Hyseni tashmë e ka paguar dënimin.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lënda P.nr.2641/2022 nga neni 430 të KPRK-së, është bërë e plotëfuqishme me datë 28.12.2022, ndërsa nga Zyra për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale jemi informuar se është bërë pagesa e dënimit me gjobë, të shqiptuar sipas aktgjykimit P.nr.2641/22”, tha Gashi.
Ndryshe, për mosdeklarim të pasurisë më 29 dhjetor 2022 ishte dënuar me 700 euro gjobë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Përveç Hajdarit, për veprën e njëjtë penale, më 5 dhjetor 2022 është dënuar me 500 euro gjobë edhe zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.