Deputetja më e zëshme e PDK-së i ka dhënë epitete të rënda kryeministrit të Kosovës. Ganimete Musliu ka thënë se Albin Kurti është kryehajni i Kosovës. Ajo ka vlerësuar se ai dhe kolegët e korruptuar të Kurtit e kanë vendin në burg.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka drejtuar akuza të rënda ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ajo ka thënë se Kurti është kryehajni i Kosovës.
Sipas saj, ai dhe të korruptuarit tjerë në Qeveri e kanë vendin në burg.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, deputetja e PDK-së ka deklaruar se Prokuroria e Shtetit duhet ta intervistojë edhe shefin e ekzekutivit kosovarë.
Ajo ka vlerësuar se mbrojtja që Kurti iu ka bërë aferave që kanë të bëjnë me rezervat shtetërore ka qenë skandaloze.
Aferat që janë publike, sipas Musliut, janë vetëm maja e ajsbergut.
Në këtë intervistë të gjatë, Musliu ka folur edhe për hetimin parlamentar që do të bëhet ndaj Dejona Mihalit, opozitarizimin e PDK-së dhe ndryshimet që i duhen opozitës në vend.
Znj. Musliu, në këta muajt e verës janë shpeshtuar aferat korruptive të Qeverisë Kurti. Pse mendoni se po ndodh kjo?
Musliu: Mendoj se një parti e cila vjen në pushtet duke bërë premtime utopike, duke zhvendosur sistemin nga një sistem politik e juridik në një sferë tërësisht morale, duke denigruar dhe duke poshtruar pa asnjë kriter të gjithë kundërshtarët e vet politik, nuk ka se si të mos dështojë në praktikë. Aferat të cilat u kanë dal sheshit janë vetëm maja e ajsbergut, sepse për këto gati tri vjet të qeverisjes së tyre, skandalet dhe keqqeverisja, poshtrimi i qytetarëve dhe pengimi i jetës publike ka qenë detyrë ditore e qeverisë së Albin Kurtit. Thënë me tjera fjalë, ne kemi një qeveri e cila, përveç gënjeshtrës si shtyllë kryesore të ideologjisë, synim ka shkatërrimin e gjithë sistemit politik ekzistues. Kemi një qeveri e cila diferencon në shqiptarë të ndershëm dhe të pandershëm siç diferenconte një kohë sistemi i Millosheviqit. Kemi një qeveri e cila natë dhe ditë punon për ta pasuruar Albin Kurtin dhe për ta forcuar pushtetin e tij, Pra, kur tentohet të vihen të gjitha institucionet shtetërore në shërbim të një personi, nuk mund të pritet seriozitet dhe korrektësi, nuk mund të pritet punë dhe përparim. Jam e bindur se aferat e publikuara nuk janë skandalet e vetme të kësaj qeverie dhe se do të kemi edhe skandale dhe afera të tjera, sepse e gjithë qeveria pa përjashtim janë duke bërë garë me njëri tjetrin se kush më shumë e don Albinin, kush më shumë vjedh për Albinin, kush më shumë rren për Albinin e kush më shumë shkelë dinjitetin e të tjerëve për ta ngritur Albinin.
Se fundi, u bë e ditur se këtë vit nuk do të ketë tekste falas për nxënësit, qysh ka pasur deri më tani. Kush duhet të jap përgjegjësi për këtë çështje?
Musliu: Përgjegjësia kryesore bie mbi Albin Kurtin. Arbërie Nagavci, është vetëm mesenger i Albinit. Albin Kurti ka pasë mundësi ta riformatojë qeverinë disa herë në këto tri vjet qeverisje. Dështimet e ministrave janë dështimet e shefit të tyre. E ceka edhe më lartë se kjo qeveri mision kryesor e ka shkatërrimin e çdo të arriture në këtë vend. Vet qasja e tyre arrogante, vetëm një javë para fillimit të vitit të ri akademik, nënkupton vënien e prindërve me shpatulla pas muri. Një qeveri e përgjegjshme do të fillonte me kohë reformat në arsim, por Qeveria e Kosovës ka vendosur të shkatërrojë edhe atë që është arritur deri më tash. Prandaj, përgjegjësia nuk është e një ministreje, përgjegjësia është e Kryeministrit që emëron një person të paaftë ministre, që e mbanë ministre dhe që merr guximin dhe e mbron edhe kur kemi të bëjmë me dështim menaxherial dhe me shkelje të kushtetutës.
Ky vendim ka për qëllim t´i godasë dhe t´i lodhë edhe më shumë qytetarët të cilët përditë janë duke e braktisur Kosovën. Ky vendim është skandaloz dhe në një kohë kur jeta e qytetarëve është shumë e rënduar ekonomikisht paraqet një sulm të qeverisë ndaj prindërve të cilët, mendoj, se do duhej ti përgjigjeshin me protesta. Heshtja kolektive nënkupton bashkëfajësi.
Në aferën me rezervat shtetërore tashmë kemi edhe disa të arrestuar. Është e mjaftueshme kjo, apo zinxhiri i përgjegjësisë duhet ta prek edhe stafin politik?
Musliu: Nuk është e mjaftueshme. Në asnjë mënyrë zinxhiri i përgjegjësisë nuk duhet të mbetet vetëm te personat e jashtëm dhe të zyrtarët e ministrive. Zakonisht me menaxhimin e rezervave shtetërore zinxhiri urdhërues është nga lart poshtë e jo e kundërta, prandaj edhe përgjegjësia duhet të jetë ekuivalente me hierarkinë. Asnjë hap nuk është ndërmarrë pa urdhrin dhe lejen e Albin Kurtit. Në rastin konkret Albin Kurti mbrojti procesin skandaloz të menaxhimit të sigurimit të rezervave shtetërore që do të thotë se është i pajtimit dhe është në dijeni për çfarë ka ndodhur dhe si ka ecur ky proces. Në paraqitjen e tij skandaloze, Albini akuzoi opozitën, qytetarët, mediat dhe prokurorinë e shtetit. Për paraqitjen e tij e cila vërteton hapur përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë, prokuroria duhet patjetër ta merr në pyetje Albin Kurtin. Premtimi i tij ka qenë hajnat në burg, Albin Kurti po del të jetë kryehajni i Kosovës dhe si i tillë vendin e ka në burg bashkë me qeverinë e tij skandaloze.
Deri me tani kemi parë një mbrojtje që kryeministri Albin Kurti ia ka bërë ministres Hajdari. Edhe për aferat tjera ka mbrojtur njerëzit e tij dhe ka sulmuar sistemin e drejtësisë. Pse po ndodh kjo?
Musliu: Sepse Albin Kurti nuk ka kritere, nuk ka etikë njerëzore dhe nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë vend të cilin ai përpiqet ta vë nën thundër. Është shumë e thjeshtë; ky njeri nuk e ka për qëllim qeverisjen. Ky njeri e ka për qëllim gjunjëzimin e demokracisë dhe shëndërrimin e qytetarëve të lirë në skllevër politik të tij. Për më tej, Albin Kurti nuk ka se si të mos i mbrojë shërbyesit e tij personal sepse ata çdo veprim e marrin për Albin Kurtin dhe në rast të rënies së tyre do të bie edhe ai bashkë me ta. Nëse ai nuk i mbron, ata nuk do të jenë më besnik ndaj tij. Tentimi i Albinit për të akuzuar të gjithë në mënyrë që Ministrat e tij të mos përfundojnë në burg, ishte një tentativë e mjerë e një personi i cili e ka humbur betejën politik ende pa ardhur në pushtet. Ardhja e tij në pushtet, edhe pse ishte i penalizuar ligjërisht, do të mbetet në histori si eksperimenti më famëkeq politik në Kosovën e pasluftës.
Pas këtyre afera, kemi parë edhe një sulm brutal ndaj opozitës dhe bizneseve nga zyrtarja e VV-së, Dejona Mihali, e cila pretendon se e di se me kënd flasin në telefon liderët e opozitës. Ju ka shqetësuar kjo?
Musliu: Nuk më ka shqetësuar aspak. Jam një politikane e cila i jep vlerë të lartë përgjegjësisë publike. Dejona Mihajli do të jep përgjigje për akuzat e nënkuptuara sepse kemi të bëjmë me liderë të cilët janë pretendentë për poste të larta shtetërore. Secili politikan në Kosovë, pozitë apo opozitë pa përjashtim duhet të jep llogari për veprimet e veta. E ftoj Dejona Mihajlin të bëjë publike faktet për akuzat që i hedhë në ajër dhe e ftoj hetuesinë e vendit tim që ta ftojnë këtë femër sepse kohës kur hidhen akuza të tilla pa dhënë përgjegjësi duhet ti vije fundi njëherë e përgjithmonë. Secili që posedon fakte për persona të caktuar shtetëror me anë të të cilave vërteton rrezikshmërinë për sigurinë e shtetit tonë duhet ti bëjë publike dhe hetuesia duhet të jetë shumë aktive në raste të tilla. Në rast të gënjeshtrave dhe linqimeve të pabaza duhet të ndërmerren hapat e nevojshëm kundër gënjeshtarëve.
Më herët keni paralajmëruar se do të nisni hetime parlamentare ndaj znj. Mihali. Kur do të ndodh kjo dhe cili është synimi i këtij hetimit?
Musliu: Shtatori do të jetë muaji i cili do të definojë shumë çështje të cilat janë aktualitet politik i muajve të fundit. I qëndroj mbrapa idesë sime që për Dejona Mihajlin duhet të iniciohet komision hetimor parlamentar, për të sqaruar fillimisht marrjen e shtetësisë së Kosovës duke marrë parasysh faktin që asaj i ishte ndaluar hyrja në Kosovë. Nëse opozita e neglizhon mundësinë parlamentare për të kërkuar llogari nga qeveria, jo vetëm për Dejona Mihajlin, por për të gjitha aferat, atëherë që sot e ka humbur garën politike dhe vendi jonë do të përfundojë në një diktaturë të paperjetuar deri më tani. Ne nuk kemi nevojë për një opozitë të heshtur. Ne kemi nevojë për një opozitë të sinqertë dhe aktive sepse dështimet e qeverisë aktuale kanë dal sheshit dhe heshtja opozitare nënkupton dorëzim.
Në muajin tjetër pritet të fillon punën sesioni vjeshtor i Kuvendit. A do të ndryshojë diçka PDK-ja në qasjen e saj opozitare kundër Qeverisë Kurti?
Musliu: Patjetër që do të ndryshojë. Opozitarizmi i deritashëm nuk ka sjell rezultatet e dëshiruara sepse përderisa PDK ka synuar një opozitarizëm konstruktiv, Vetëvendosja ka vazhduar opozitarizmin e saj ndaj nesh. Në vend që të qeveriste me vendin, VV-ja çdo ditë ka ushtruar propagandën e saj ndaj PDK-së.
Prandaj, PDK-ja e ka shansin e fundit që t`i tregoi VV-së dhe qytetarëve të këtij vendi se është partia më meritore për të gjitha të arriturat e deritashme dhe se nuk do të tolerojë në asnjë mënyrë që një matrapaz, një hajn klasik dhe një demagog të shkatërroj këtë shtet të krijuar mbi sakrificën e shumë brezave./Nacionale