Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar falje ndaj Gjermanisë rreth deklaratave të ministrit të Brendshëm, Bratisllav Gashiq për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.
Vuçiq ka thënë se e kanë verifikuar se autoritet gjermane nuk po e fshehin informacionin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
“Ne e verifikuam me pjesëtarët e shërbimit gjerman në 20 ditët e mëparshme, që nga pretendimet e Bratisllav Gashiqit se ata po fshehin vrasësit në rastin e Oliver Ivanoviqit, dhe morëm garanci dhe prova se ata nuk po e fshehin këtë informacion.” – ka thënë Vuçiq duke kërkuar falje.
Kujtojmë se para dy muajve, në Kuvendin e Serbisë, Gashiq kishte thënë se: “E dimë saktësisht se kush është vrasësi.”
“E dimë se kush është vrasësi dhe iu kemi kërkuar autoriteteve gjermane, nën proteksionin e të cilave është ai person për momentin, që të na ofrojnë informacione. Ne kemi fotografi nga Aeroporti i Tiranës, kur ai zbret, kur hyn në Prishtinë, fotografi kur futet në banesë. Kemi bërë kërkesë të vazhdueshme te partnerët që të na japin imazhe satelitore.” – kishte thënë ai.