Në një reagim të fortë ndaj deklaratave të kërcënuese të shtetit serb ndaj Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri një paralajmërim të ashpër, duke i cilësuar ato “të rrezikshme dhe të papranueshme”. Deklaratat e shtetit serb kanë ardhur si pasojë e vendimeve të këtyre dy vendeve për të njohur pavarësinë e Kosovës, një akt që është interpretuar nga Serbia si një ofendim ndaj tyre. Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar qartë se Shqipëria, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, janë aleatë të përkushtuar të NATO-s, të cilët angazhohen plotësisht në ruajtjen e sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit.
Ditë më parë, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, iu drejtua Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me gjuhë të ashpër për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ai theksoi se kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe mund të kërcënojë stabilitetin në rajon duke i akuzuar se kanë “hapur kutinë e Pandorës”.
“Ke bërë një gabim dhe do të të godasë në kokë, ashtu siç i godet në Ukrainë të gjithë ata që e promovuan Kosovën si shtet të pavarur. Ju e keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është sui generis, se është një rast i veçantë, janë qesharake. As Albin Kurti dhe as Tirana nuk të besojnë në këtë”, tha Vuçeviq për TV Pink.
Ai ngacmoi dy vendet e rajonit duke pohuar se mendojnë se i kanë zgjidhur problemet pas anëtarësimit në NATO.
“A flenë të qetë miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut? A fleni të qetë? Ata mendojnë se janë në paktin e NATO-s dhe i kanë zgjidhur problemet e tyre me të. Kjo është mantra e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Kur ata u bënë anëtarë të asaj sigurie kolektive, pra aleancës së NATO-s, mendojnë se i kanë zgjidhur të gjitha problemet e tyre dhe se asgjë nuk mund t’u ndodhë”, tha Vuçeviq.
Këtyre kërcënimeve iu përgjigj kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Përmes një postimi në “X”, ai tha se nuk duhet harruar fakti se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëra-tjetrës.
Më tej ai ka paralajmëruar se nuk do të lejohet askush t’i tërheq prapa në të kaluarën.
“Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme”, – ka shkruar Rama.
Reagim ndaj deklaratave të ministrit serb pati edhe nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, duke thënë se e konsideron “të papranueshme do përpjekje për të ndërhyrë drejtpërdrejt apo tërthorazi me aktorë të huaj (nga rajoni apo pjesa tjetër e botës)”
Nga ana tjetër, krerët e shtetit të Kosovës ende nuk kanë dalë me asnjë reagim lidhur me deklaratat kërcënuese të Qeverisë së Serbisë ndaj shteteve që e kanë njohur Kosovën.