Mes të nxehtit përvëlues që ka arritur të kalojë 38 gradë Celcius në disa zona të SHBA, video e një babai të dëshpëruar që tenton të nxjerrë nga mjeti në një parking në Teksas foshnjën e tij të bllokuar, është bërë virale në rrjet.
Pamjet tregojnë babain e fëmijës që përpiqet të thyejë me një levë hekuri xhamin e përparmë të veturës së tij për të shpëtuar foshnjën nga asfiksia nën temperaturat e larta.
Më pas atij i bashkohen kalimtarët e shqetësuar dhe një burrë i dytë me një levë më të madhe përpiqet ta ndihmojë për të nxjerrë fëmijën.
Policia e Harlingenit tha se prindërit e foshnjës harruan aksidentalisht çelësat brenda automjetit së bashku me foshnjën, pak pasi vapa filloi të intensifikohej rreth orës 10:30 të mëngjesit të së mërkurës.
Nuk ishte e qartë se sa kohë ishte mbyllur foshnja në veturë, por Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada paralajmëron se i duhen vetëm dhjetë minuta që një veturë të rrisë temperaturën me 20 gradë.
Në 25 vitet e fundit, afro 1000 fëmijë kanë vdekur nga goditja e nxehtësisë sepse janë bllokuar brenda veturave të nxehta.
Fëmijët mund të goditen më lehtë prej të nxehtit, pasi temperatura e trupit të tyre mund të rritet tre deri në pesë herë më shpejt se ajo e një të rrituri.