Familja Zogu në Gramsh ka hapur dyert e mortit për të përcjellë për në banesën e fundit, Arben Zogun, 46 vjeç, dy djemtë e tij Rubens Zogu 19 vjeç dhe Esti Zogu 14 vjeç, dhe nipin e 46-vjeçarit Melsi Zogu, 20 vjeç.
Katër viktimat u mbytën mbrëmë në liqenin e Banjës në Gramsh, ndërsa kishin shkuar atje për tu larë. Banorët e zonës ku ndodhi tragjedia kanë folur për mediet.
Ata janë shprehur të tronditur nga ngjarja e rëndë, teksa i bëjnë thirrje shtetit që të ndërhyjë në zonën përreth liqenit që të marrë masa për të parandaluar tragjedi të tjera.
“Jam i shokuar. U shuan dy familje. Mbase një prej tyre nuk ka ditur not, dhe janë mbytur. Ata nuk duhet të ishin larë atje, pasi ishte me gropa. E njihja 46-vjeçarin, kishte punuar më parë si kameraman”, tha një banor.