Kongresmeni Self, Escobarit: Pse keni këtë qasje ndaj Kosovës, nuk ka dyshim se Vuçiqi nxiti bojkotimin e zgjedhjeve në veri

Në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, është diskutuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj këtij rajoni.

Kongresmeni nga Teksasi Keith Self në hapësirën e tij të pyetjeve ka pyetur të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për qasjen e balancuar në raport me Kosovën e Serbinë.

“Po dëgjoj një lloj jokonsistence. Ju keni thënë që keni qenë në anën e Kosovës në çdo moment por tani po shohim një qasje më të balancuar. Por nuk ka dyshim se Vuçiqi ka nxitur bojkotimin e zgjedhjeve të Kosovës. Kjo nuk ka aspak dyshim. Vuçiqi i ka shtyrë zgjedhjet e veta edhe për shkak të zgjedhjeve të Kosovës”, ka deklaruar Self.

closevolume_off
Kongresmeni nga Teksasi ka insistuar edhe më tej në këtë pozicion neutral të Escobarit.

“Pse nuk kemi sanksione ndaj Serbisë kur e dimë se prej shumë vitesh importon armë nga Rusia”.

Derisa Escobar është përgjigjur se sanksionet ndaj Serbisë duhet të plotësojnë edhe disa kritere.

“Këto sanksione nuk lidhen vetëm me blerjen e armatimit rus. Po të ishte kështu edhe ndaj Turqisë do të duhej vendosur sanksione. Në pyetje janë niveli i blerjeve dhe kapacitetet. Por e kemi paralajmëruar Serbinë”, ka deklaruar Escobar.

Self ka kërkuar një koment nga Escobari edhe një qëndrim të tij në lidhje me “përkëdheljen e Serbisë” në raport me Kosovën.

Derisa Escobar ka mohuar se po ndodh një gjë e tillë.

“Kjo qasje është e gabuar dhe ne kemi fakte. Në 60 ditët e fundit ne kemi mbështetur Kosovën për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës si dhe kemi njohur legjitimitetin e zgjedhjeve në veri edhe pse kanë dalë në zgjedhje vetëm 3%. Kemi sanksionuar edhe shefin e Inteligjencës së Serbisë”, ka deklaruar Escobar.

Në fund Kongresmeni nga Teksasi i kërkoi Escobarit të mos lejojë ndikimin e Serbisë në zonën e NATO-s.