Pak ditë më parë në rrjete sociale, por edhe website të ndryshme qarkulloi lajmi se çadrat dhe shezlongët do të ishin falas për të gjithë pushuesit, duke ndjekur kësisoj shembullin e Malit të Zi. Gjithçka nisi nga një foto e ministres së Turizmit dhe Mjedisit, zonjës Mirela Kumbaro, e cila me anë të një postimi në Instagram në të cilin shkruhej: “Mirëmëngjes nga Himara, ku modeli i plazhit publik me çadra dhe shezllone të reja pa pagesë pas orës 19, bëhet realitet për pushuesit”.
E ftuar ditën e sotme në emisionin “Wake up” ajo tregoi se nuk ka postuar kurrë një njoftim të tillë në rrjetet e saj sociale dhe që bëhet fjalë për një fotomontazh. “Ky është një fotomontazh që nuk ka ekzistuar kurrë, që nuk e kam postuar kurrë, që nuk e kam thënë kurrë dhe më vjen shumë keq të marrim kohë dhe hapësirë për t’u marrë me një shpifje të radhës. Shumë faleminderit që ma dhatë këtë mundësi, unë thjesht e injorova në fundjavën kur qarkulloi. Është thjesht një montazh i rremë që nuk ka ekzistuar kurrë. Fotografia që shohim është marrë nga faqja ime e Instagramit, nuk është fare e Himarës.
Është plazh publik në Sarandë, Bashkia e Sarandës gjej mundësinë ta falënderoj dhe një herë, ishte e para që nisi modelin e një plazhi publik, të organizuar nga bashkia me çadra e shezlonge të vendosura nga bashkia, pa pagesë për pushuesit të cilët duan të rinë në një plazh publik dhe jo në një plazh të menaxhuar.”-u shpreh ajo.
Ministrja Kumbaro gjithashtu ka komentuar edhe bumin e madh që ka pësuar turizmi në Shqipëri vit pas viti, ku po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj. Ajo shprehet se evolucioni i turizmit në Shqipëri vjen si rezultat i një pune të përmuajshme dhe përvitshme nga faktorët socialë, ekonomikë, të qeverisë, dhe sektorit privat. Po aq e rëndësishme sipas saj është promocioni dhe rrjetet sociale.