Sulmi në Kuvend, Kurti: Ishte i përgatitur, jam kryeministri më i përpiktë

Albin Kurti ka thënë se deputetët e opozitës nuk kanë pasur asnjë arsye për “sulm mbi Qeverinë e Kosovës”, në seancën e se enjtes.

Ai madje është i bindur se “sulmi ishte i përgatitur” e nuk ndodhi si pasojë e asnjë provokimi nga ana e qeveritarëve.

Kurti i ka lutur deputetët që për çdo çështje të organizojnë debate në Kuevdn me argumente e kundër argumente, duke u shprehur i bindur se që nga Pavarësia është kryeministri më i përpiktë që iu është përgjigjur pyetjeve të tyre.

“Unë besoj se kurrfarë arsye për sulm mbi Qeverinë e Kosovës në Kuvendin e Republikës nuk ka pasur. Ata të cilët dëshirojnë të sulmojnë kërkojnë shkase sepse as shkaqe nuk gjejnë, arsye jo se jo. Mirëpo ka gjëra për të cilat mund të mos dihet sepse nuk ka dëshmitarë dhe nuk ka xhirime. Aty kishim maksimumin e xhirimeve dhe kishim shumë dëshmitarë të cilët do ta tregojnë të vërtetën e asaj situate në të cilën qartazi nuk bëhej fjalë për provokim e kundër provokim por bëhej fjalë për një sulm të përgatitur meqenëse shpejtësia me të cilën ia mësynë prej ulëseve të tyre disa deputetë dhe në drejtim të ulëseve të kolegëve të mi nga Qeveria derisa unë mbaja fjalim tregon qartazi se nuk kishte asgjë spontane aty’, ka deklaruar Kurti.

“Unë edhe një herë i lus deputetët e Kuvendit të Republikës që për çdo gjë të organizojmë debate parlamentare ku i shoshisim gjerë e gjatë argumentet, faktet, qëndrimet, mendimet, opinionet tona pa dhunë dhe ata të cilët kanë të drejtë, besojnë në të drejtën që prezantojnë nuk do duhej t’i frikësohen debatit. Ndërsa ju e patë që mua mu ndalua fjala në kuvendin e Republikës së Kosovës dhe me kërkesën e kryeparlamentarit unë hoqa dorë nga vazhdimi i fjalës sime. Thjesht kur ka vazhduar seancë unë është dashur ta vazhdoj fjalën, por kryeparlamentari më tha ‘Kryeministër a bën mos ta vazhdosh fjalën në mënyrë që t’i qetësojmë gjakrat?’, unë isha dakord për këtë gjë. Por përkundër kësaj kjo nuk dha rezultat”.

“Pra, unë jam kryeministri i cili jo vetëm nga shpallja e pavarësisë së Kosovës është më i përpikti në përgjigjen e pyetjeve parlamentare. Unë atë ditë kam shkuar në kuvend për shkak se kam pasur tri pyetje parlamentare. Të tri pyetje nga deputetët e opozitës të cilat nuk i bënë. Pyetjet parlamentare janë për deputetët. Unë shkova për ta. Edhe fjalën e fundit tek pyetja parlamentare sipas rregullores sëre të Kuvendit të Kosovës e ka pikërisht deputeti. Unë isha i gatshëm, mirëpo ata nuk i bënë pyetjet parlamentare. Në anën tjetër nuk ka debat të jashtëzakonshëm ku e kanë ftuar kryeministrin e unë nuk kam shkuar. Me fjalë të tjera nuk ka arsye, nuk ka shkaqe për ato pamje të shëmtuara që janë pasojë e sulmit mbi qeverinë. Ndërsa shkase për pakënaqësinë nga më të ndryshmet gjenden atëherë kur ke synime aspak fisnike”.