Gazetari Vehbi Kajtazi i është përgjigjur ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla i cili nëpërmjet “Facebook”-ut e sulmoi atë dhe gazetarin Berat Buzhala.
Ai i akuzoi ata dy se janë bërë pjesë e “luftës hibride të Serbisë”, duke e lidhur protestën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gazetari Kajtazi ka thënë se nuk e ka pritur që Sveçla i frikësohet Kajtazit. Ai ka ironizuar me të teksa është shprehur se “nuk i godet policët me tulla” siç kishte bërë Sveçla.
Më tutje, Kajtazi i ka thënë Sveçlës se nuk financohet nga Serbia e as nuk ka folur me kriminelin serb Milan Radojiçiq, e as nuk i ka plagosë policët e Kosovës, por këtë e ka bërë partia në pushtet.
“Xhelal, une nuk kam fol me Radojiçiqin por ju. Une nuk financohem prej Serbise nepermjet Martin Berishajt, por ju. Une nuk i kam plagos policet deri ne verbim, por ju. Te dua, keshtu siç je, dmth totalisht i pa dijshem!”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.
Sveçla ka zgjedhur që në këtë postim t’i sulmojë edhe gazetarët Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi që thotë se e kanë thirrur protestën e sotme, të cilën e ka organizuar veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Ajeti.
“Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë.”, ka shkruar Sveçla.