Nga Pëllumb Gorica
Të prekësh Ulqinin
Në çdo udhëtim të përshkruar është bërë zakon të prekim copëza përjetimesh të gjalla për natyrën, historinë e vendeve, dhe kulturën e tyre të lashtë. Dendësia e përshtypjeve, është aq e madhe sa nuk di çfarë të shkruash më parë. Kështu ndodhi edhe në udhëtimin tonë drejt Ulqinit. Ftesa e miqëve tanë për të marrë pjesë në “Veprimtarinë hulumtuese shkencore të trashëgimisë së kulturës pagane të Krajës”, ishte një rast i mirë për të mos e lënë të anashkalohej. Por kjo dha, edhe një shtysë më tej për të njohur këtë qytet të lashtë shqiptar me plot ngrohtësi e diell, dhe me vlera të spikatura njerëzore, kulturore, historike e materiale. Edhe nëse e ke shkelur më parë, dhe ke lexuar për historinë e tij, kur e vizitojmë atë dhe trevat përqark,të befasojnë përsëri natyra, arkitektura, deti, mikpritja gati proverbiale…
Jemi të përhumbur me panoramat e shumta, që parakalojnë përtej xhamave të autobuzit. Megjithëse të përqëndruar, në rrugën me gjarpërimet e saj, sfondi i qiellit dhe majat e maleve shkëmbore, për ne reflektonin aq shumë pasuri natyrore. Autobuzi vijon herë kodrinave apo rrezë tyre, e herë luginave pjellore vende-vende me një rrezatim dendurie nga gjelbërimi, ku ndjehet aroma e frutave, dhe fëshfërima e gjetheve të vjeshtës. Në hapsirat e sistemuara, si të qendisura, të gëzon syrin pamja e vendbanimeve me shtëpitë që parakalojnë, dhe si në një sfilatë mode të dhurojnë pafundësi të tjera ndjesish. Ulqini shquhet për historinë e vendbanimeve të lashta. Ngjitur tyre andej nga kalonte rruga të shfaqen tabela orientuese të vendeve me një të kaluar të largët historike. Shasi, qyteti antik i mbuluar nën rrënoja të trazon,e vë në lëvizje mendimet tona me historinë, dhe 365 kishat e tij. Duke u përthithur në ca labirinthe bisedash për udhëtimet në hapësirat shqiptare, ato mbështillen rreth motivimeve krijuese, dhe takimeve me njerëzit e artit, kulturës e historisë sonë. Bashkudhëtarja jonë nga Tirana, Luljeta Dano, poete dhe studiuese e njohur, flet me pasion për këto gjëra.
-E copëtuan kombin tonë dhe e ndanë në shtete të tjera, por tani erdhi koha t’i vizitojmë dhe të jemi të pranishëm në veprimtaritë e tyre.
Veçse ky udhëtim këtu krijon të tjera ndjesish kënaqësie, për urtësinë dhe madhështinë ulqinake. Janë bisedat me miq të njohur dhe të rinj, të këtij vendi, që paraprijnë fjalët, dhe u japin atyre të tjera përmasa.
Në trokitje historike…
Të zhytur në ndjesitë e panoramave, dhe bisedave mbresëlënëse aty nga mesdita mbërritëm në Ulqin. Ashtu me plot emocion, duke anashkaluar lodhjen, në orët në vijim shëtitëm qytetin. Ai shtrihet mbi ca bregore të gjelbërta, dhe kalaja e lashtë buzë detit Adriatik me arkitekturën e veçantë, të krijojnë ndjenja të papërsëritshme nderimi e respekti për banorët, dhe për këtë trevë të njohur. Ulqini është një nga qytetet turistike interesante të bregdetit Adriatik. Për të njohur më mirë në brendësi atë, dhe rrethinat e tij nga Ada e Krryçit deri në grykderdhjen e Bunës nuk mjafton një ditë. Kalojmë përmes qytetit në rrugët të potershme, që ngjajnë si një panair me një kolor përndritës. Limfa e turistëve, dhe e jona shkrihet në atmosferën e tij, duke e bërë të dukshme me ecejaket.
Ndërtimet në Ulqin kanë ruajtur të freskët vokacionin e kohëve të largëta me një urbanistikë tipike, një pjesë e të cilave u ngjiten kodrave. Aty, bie në sy ndërthurja e tyre me ato moderne, por këtu ekziston mentaliteti, që e vjetra është relike,e cila duhet ruajtur. Vezullojnë reklamat e bar- kafeve, restoranteve, hoteleve, dhe dyqaneve me punime artizanale, qëtë tundojnë për t’i blerë, dhe t’i bësh pjesë të katalogut tënd.
-Ulqinakët – thotë Nexhati, pronari i hotelit, ku bujtëm – shquhen për zejtari, për këngë, për kultivimin e ullirit, ku gjen ekzemplarë 700 vjeçar, por më shumë ne jemi të njohur si detarë e tregëtarë, por edhe kusar deti, që i sulmonin anijet e Venedikasve, Dalmatëve, Francezëve etj. Qyteti ynë i bujshëm me kalanë, si një trashëgimi e shekujve, gjithmon ka qënë i lidhur me rrënjë të thella shpirtërore me udhët e ‘’paudha’’ të detit, që nga koha e anijeve liburne.
Faktet e përdritësimit të kujtesës, të bëjnë me dije, e të nxisin kureshtjen për të depërtuar në terë dimensionin e të shkuarës ulqinake.
LEXO EDHE: Mbiemrat – patronimet në Sanxhak / Popullsia e Sanxhakut, kryesisht ka prejardhje nga fiset Kelmendi, Hoti, Kuçi, Shkreli, Shala
Në truallin e Ulqinit historia ka hipotetikuar lashtësinë, që mund të lexohet shumë qartë, ndonëse e mbuluar me eklipse e dallgëzime kohësh. Por, po të hysh thellë në shekujt e tij mëson shumë gjëra të reja. Herë duke u zmadhuar, e herë duke u tkurrur historiku i saj ka trashëguar mbishkrime, dorëshkrime dhe gjetje të hershmet, që nga epoka e bronxit, edhe pse luftrat rrënuese i kanë fshirë asaj shumë gjurmë. Kur flasim për të gjitha këto domosdo do të shkruajmë, edhe për rrjedhat e jetës. Zanafillë e lidhur me periudhën plot labirinthe të lashtësisë sonë ilire. Këtu në këtë trevë të lashtë jetonin ilirët e fisit të labeatëve me madhështi emrash, kalash e vendesh historike. Është kalaja që mbreti i tyre, Genti e vizitonte herë pas here. Ndërsa Balshajt në Mesjetë e kishin selinë e tyre. Historia e Ulqinit me psiko-hapësirat e zhurmshme të luftrave, shkatërrimeve, ka mbështjellë misteret, fatet njerzore, përplasjet, kurthet, brengat, pabesitë, mugëtirat e moteve, zvenitjet dhe copëzimet e trojeve. Në çdo kohë është lakmuar nga pabesitë e reve të zeza të stepave, dhe erës së egërsuar përtej detit, e cila u përplaste me furi brigjeve të tij heroglife fjalësh të religjoneve. Kjo bëri që një pjesë e popullatës, duke u përballuar stuhive të fuqishme të historisë, kanë qënë të shtrënguar t’i lëshojnë vatrat e tyre shekullore. Ky detyrim buroi edhe si pasojë e represionit sllav, që më së shumti kërkonte të zhdukte jetesën, pasurinë e shqiptarët në këto troje si kudo ku banonin ata. Dhe jeta ka rrjedhur mes vështirësive, e sërish ulqinakët e mbanin gjallë shpresën, dhe rigjenin veten me forcën të mbijetojnë, duke i qëndruar me besnikëri të pashoqe kësaj toke të bekuar.
Gjurmime ritesh, që flasin ilirisht
Kultura, asnjëherë nuk shuan etjen me promovime vlerash, mbasi në kohën e sotme ndodh që vlerat sulmohen nga antivlerat. Ndaj veprimtaritë e trashëgimisë kulturore janë si shtylla ku mbështeten vlerat. Larmia e pasqyrimit të tyre në sfonde mediatike janë të rralla dhe të cekta, kjo edhe për vetë faktin e politikës, ku dhe pamjet e kriminalitetit marrin vendet në faqet e para. Në këtë këndvështrim, edhe fondet për kulturën janë të tkurrura nga që menaxhimi i tyre le për të dëshiruar. Por në Ulqin studiues, historianë, arkeologë të Ulqinit, dhe krahinave shqiptare në Mal të Zi, të Krajës e Shestanit, gjithmonë kanë intensifikuar misionet e tyre hulumtuese, duke tejkaluar vështirësitë. Në këtë kontekst, kohët e fundit po larmojnë në formë, dhe në trajta idesh, të spikatura në organizim veprimtarish studimore iliroshqiptare. Përveç ruajtjes së trashëgimisë kulturore- historike, pasqyrimi dhe afirmimi risjell filozofinë e e tyre, si pjesë e ndërtimit të identitetit tonë. Trevat shqiptare të Malit të Zi, Kraja dhe Shestani njihen nga të gjithë për traditat e palëkundura kombëtare. Trashëgimia e kulturës pagane e tyre deri më tani ka mbetur larg syrit të studiuesve, dhe turistëve të huaj. Ashtu siç mendon studiuesi i ri ulqinak, Arben Berjashi “Për të njohur dëshmitë arkeologjike, etnografike, etnologjike etj, duhet ende shumë punë për të krijuar parakushtet e një pike të vizituar gjithnjë në rritje të trashëgimisë sonë”
Si bletët,studiues dhe njohës të trashëgimisë kulturore pagane nga treva të ndryshme shqiptare,së toku me këtë frymëmarrje, u mblodhën në zgjojen e fjalëve në Ulqin, të ftuar në veprimtarinë e trashëgimisë kulturore të Krajës. Pavarësisht skajeve gjeografike, ku gjenden ata në Tiranë, Elbasan, Kukës, Shkodër, Malësi e Madhe, Krajë, Ulqin, apo edhe në Kosovë, u gëzohen këtyre takimeve domethënëse. Ndonëse diçka e thjeshtë në dukje, dhe gjithë kuptim në thelbin e saj, njihen dhe shkëmbejnë mendime, ndaj janë ngjarje të rëndësishme e sinqerisht përjetohen këndshëm nga ata. Nuk është e lehtë për të dhënë të plotë thelbin e veprimtarisë hulumtuese – shkencore, dhe promovuese të trashëgimisë së kulturës pagane në Krajës, për të cilin desha të shtoj dhe të përforcoj, interesimin nga jo pak ulqinakë dhe krajanë. Mendimi se duke ju larguar formave të vjetra të trashëguara nga koha e sesioneve shkencore steriotipe, kur analizohej një studim pompoz nga individë të graduar shkencor, ky promovim i shërbeu gjithë organizimit dhe studiuesve, si një konvergim protagonist të kreaturës së tyre me përbashkësi vlerash qëmtuese. Ka jo pak studiues të secilës moshë, pozitë shoqërore apo formimi kulturor,dheme angazhime të shumta frytdhënëse,që po konturojnë prezencën e tyre shkencore. Studimet dhe argumentet e tyre janë depërtuese, të thella e të qarta. Dhe çka është më e rëndësishmja zhbirime tyre, po u përmbahen rrënjëve të thella të tabanit kombëtar, ku gjurmimi synon për të zbuluar të veçantat. Natyrisht kishte evidentim me përgjegjshmëri, dhe aftësi njohëse-trajtuese e profesionale ndërmjet ekspozimeve fotografike, të cilat tërhoqën vëmëndjen për thesaret e epokës pagane, si pjesë civilizim ilir në trevën e Krajës dhe më tej. Është fakt që të gjitha studimet korrespondonin mes veti rreth riteve pagane,dhe kulteve zanafillore të pashkëputur nga ilirët, arbrit deri tek shqiptarët e sotëm, për figurën e Gjarpërit, “Diellit, “Hënën e Re”, ”Banerin” “Buzmin, “Ditën e Verës”, “Ditën e Shengjergjit”, “Ditën e qethjes së deleve”etj. Ato përbënin edhe trungun e veprimtarisë së këtyre kulteve të kulturës pagane. Në qasjet e thella shkencore, u theksua motivi sublim për të çmuar traditat pagane, dhe thasaret e trashëgimisë kulturore të kësaj treve, e të tjerave treva shqiptare si pjesë e ndërtimit të identitetit tonë kombëtar. Brenda veprimtarisë u ngrit edhe një problem, që sot shqetëson kulturën tonë, tradita tona, të cilat po rrezikohen deri në zhbërje.
-Në trevat shqiptare të Krajës dhe Shestanit e përtej-, do të theksonte në paraqitjen e tij, studiuesi nga Ulqini, Mr. Arben Berjashi – janë ruajtur e kultivuar rite të shumta pagane, si pjesë e identitetit iliro-shqiptar. Ata kishin shumë perëndi, me atribute vendesh, objektesh e fenomenesh të natyrës, disa të përbashkët e disa të veçantë. Në Krajë shquhet “Baneri”, që është një dru i gjatë, që vishet me gjethe të njoma dhe lule të bukura. Ai praktikohet edhe sot e kësaj dite. Interesant është, Riti i bartjes se gurit sa më të madh në majën e malit të Rumisë, por edhe “Dita e Rrëshajave”.
Një rishfaqje vlerash të lashta me vëzhgime antropologjike do të sillte këtu, edhe kumtesa e antropologes nga Tirana, Luljeta Dano. Intepretim i argumentuar me një lexim fotografik, të përqëndruar rreth veshjeve të lashta, e sidomos të xhubletës, e figurave si ajo e gjarpërit. Duke nxjerrë në pah këto vlera, që zgjuan një interesim nga mediat për temën e trajtuar ajo meritoi, edhe përgëzime të veçanta nga të gjithë.
Edhe autori i këtyre radhëve në studimin e tij parashtroi ritet pagane të “Ditës së Verës” dedikuar kësaj feste, që praktikohet edhe në ditët e sotme. Ndaj dhe festa e “Ditës së Verës” ka lidhje historike dhe kulturore me Ulqinin dhe trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi, të lidhura me Tempullin e Dianës në Dioklea.
Ndërsa studiuesja Vera Istrefaj nga Kuksi, prezantoi vlerat më të bukura të trashëgimisë së lashtë kulturore që ka treva e Kukësit, kaq e pasur dhe e veçantë.
Kurse drejtuesi i kalasë së Ulqinit, Gazmend Kovaçi në një ligjëratë interesante, si njohës i mirë i aseteve të trashëgimisë së Ulqinit, përshfaqi mendime për të ndërtuar edhe një strategji unike të turizmit të qëndrueshëm në këtë trevë, e më gjerë.
“Buzmi” dhe “Hëna e Re” ishin referimet e tjera përmbyllëse të kësaj veprimtarie të Mimoza Rexhvelaj dhe Arlinda Sukaliqi nga Malsia e Madhe, dhe Ulqini.
Natyrisht kjo veprimtari pati vlerat e saj, të pallogarishme dhe anën shpirtërore aspak të shtrirë nën trysninë e triumfalizmit. I ndjeje emocionet, dhe nuk mund të mos rrish pa shprehur përshtypjet, që rrallë mund përsëriten. Ishte një ditë që foli më shumë se çdo fjalë në një mjedis të bibliotekës publike të këtij qyteti, ku doli në pah, jo vetëm promovimi i gjurmimeve të trashëgimisë ilire në trevat shqiptare, por edhe organizimi i përsosur i drejtueses së biblotekës, Ardita Ramaj. Një vlerë e shtuar, që dhuroi emocione ishte bashkëbisedimi me poetin Ibrahim Berjashi, dhe kranjotët Irfan Domnori, Suada Millla,Miliha Gjecbritaj, që performuan veshjet popullore të krahinës së tyre.
Kalaja e Ulqinit, jehonë lashtësie
Kalaja Ilire e Ulqinit, që ngrihet madhështore në një kodër shkëmbore buzë detit, kulmon si një dëshmi e gjallë arkitektonike, dhe të flet me zërin e heshtur të historisë. Ajo vlersohet ndër monumentet më të bukura të trashëgimisë kulturore, jo vetëm në Adriatik, por në gjithë Ballkanin. E ndërtuar në shekullin e IV para erës sonë tashmë është kthyer në një qendër historike, e cila vizitohet çdo ditë nga turistë. Ajo është një muze i vërtetë, i identitetit dhe kulturës ilire me histori, edhe të periudhave të mëvonshme, të cilat nuk mungojnë,e kanë rëndësi të veçantë.
Në Kala ngjitim, shëtisim e zbresin shkallët e kalldrëmta me pllaka guri shumëngjyrëshe, nën shoqërinë e mikpritësit tonë, Arbenit. Kalaja është e banueshme, dhe gjithandej aty shtëpitë, bar kafetë, restorantet, kompleksi muzeal janë ndërtuar me gurtë skalitur me aq mjeshtëri,çka i kanë dhënë atyre qëndrueshmëri të lartë. Është e natyrshme, që këtu do të ndeshësh e gjurmët e kulturave turke, veneciane, etj si pasojë e pushtimeve në kohë me ndërtime fragmentare të ruajtura mirë. Duke u endur nga njëri cep në tjetrin, e ndjejmë thellë madhështinë e historisë, e mëndja përmes mjegullës së shekujve e lexonte në muret e lashta. Kërkojmë mes morive të gurëve ciklopik të kalasë,Bindin e gdhendur, që i ngjan shqiponjës, dhe e vështrojmë atë për një kohë të gjatë. Prej bedenave të saj mijëra vjeçare, të shplara nga dallgët, por edhe në frëngjitë e portat e harkuara,të hapet si në një dritare të madhe sipërfaqja e detit me një shkëlqim marramendës. Që nga këtu në kohë me mot të kthjellët mund të shikohet Kepi i Rodonit, Kepi i Gjuhëzës, Ishulli i Sazanit, dhe Gadishulli i Karaburunit.
Historiania e kalasë, Zenepe Draga e hap udhën nëpër ndërtesat muze të zbardhëlyra, ku shpalosen para nesh të harmonizuara më së miri, dhe të detajuara me motive të jetës thuajse të gjitha periudhat kohore me objekte të llojeve të ndryshme. Thesaret arkeologjike, të zbuluara këtu gjatë gërmimeve, por edhe ormanentet e veshje popullore, armët luftarake, etj, të ekspozuara në jo pak stenda plotësojnë njohjet tona mbi këtë qytet me aq histori, tradita e qytetërim të lashtë. Me këtë rast ne u njohëm, edhe me moketin e kalasë, që në vitin 1956 nga punonjësit e saj.
-Rreth kalasë ndërlidhen shumë legjenda -të thotë Zenepja. -Një nga legjendat e shumta ka të bëjë edhe me Servantesin, shkrimtarin e njohur spanjoll, autorin e romanit “Don Kishoti i Mançes”. Por, kjo është vetëm një legjendë. Dhe aq sa janë thurur legjenda për kalanë, aq edhe Ulqini është kthyer në një legjendë për kohën e largët dhe për ditët tona.
E shijojmë me kënaqësi një kafe në “Kullën e Balshajve”, një kompleks interesant nga pikëpamja arkitekturore, ku modernia dhe antikja janë bashkuar më së miri me një harmoni të përkryer edhe elegancë. Ne e vlerësojmë gjestin patriotik të pashprehur me fjalë, për shqiptarin nga Kosova që e bleu këtë objekt. I bashkohet kësaj kënaqësie me bisedat e tij interesante Gazmend Kovaçi, zyrtari i kalasë.
Ulqini – të thotë Gazmendi – ka histori të lashtëarkitektonike, dhe tregues të vlerave, që janë ruajtur me fanatizëm. Ndaj është në nderin tonë, që të hershmen ta ruajmë e ripërtërijmë, sikurse është detyrë të nxjerrim nga thellësia e shekujve të vërteta të tjera historike. Dhe është fakt që këtu po punohet në këtë drejtim, që Kalaja e Ulqinit të pranohet në UNESCO si objekt historik i një rëndësie të veçantë. Sepse kurrë nuk është vonë për të dhënë kontributin tonë, e për të vendosur një gur të rëndë në murin e historisë. E shkuara qartësohet kur e di se nga ke ardhur.
* * *
Të mbetet në mëndje peisazhi i papërsëritshëm i këtij qyteti. Kronika e rrjedhës së jetës, ngjyrat e botës njerëzore, dhetabloja monumentale e tij imponuese për t’u ndjerë i mrekulluar këtu. Mjafton të soditësh pak çaste ato mes atyre reflekseve magjike, që hedhin rrezet e diellit, dhe qyteti të duket sikur luan vallen e kaltërsive të detit me përplasjen e dallgëve. Re të bardha si pambuk pikturojnë peisazhin, ku era shtyn tufën e tyre, dhe shfaq e largon copëza qielli. Deti e përshpejton me pamjen dhe aromën depërtuese të tij rendjen tonë. Ca biseda vijnë tek ne me rrokje fjalësh e pasthirrma gëzimi të fëmijëve. Varka dhe skafetë ankoruara lëkunden lehtë nën melodinë e dallgëve. Pushues të rrallë e shfrytëzojnë mundësinë e këtyre ditëve të vjeshtës, që të marrin jodin e tij. Klithma si miklime të pulbardhave me fluturimin e tyre, e marrin vështrimi tonë dhe shprushin emocione. Si një dëshmitar i këtyre çasteve, syri e shpirti e ndjejnë të bukurën, hijeshinë, e sidomos kur e prekin deri në rrënjë. Ndaj nuk mund të fshehësh kurrsesi kënaqësinë frymëzuese të peisazhit buzë detit ulqinak.
Ne pranë mureve të kalasë shekullore, ku oshtijnë dallgët e detit, që përplasen me jehonë shkëmbinjve, dhe të përzgjuar me lashtësinë ndër sy, marrim udhën prej andej nga kemi ardhur. Ndodh gjithmon që kur largohemi nga një vend, mrekullitë që i shikojmë, i veshim si mantel mbi vete, e i mbartim ato kudo ku shkojmë, duke thënë; ah të jemi përsëri aty, të fotografojmë të veçantën që të magjeps. Sepse i tillë është Ulqini, vend që flet me gjithçka, me detin, kalanë, diellin, ajrin, dhe historinë e tij të rrallë shqiptare.