Nuk janë në patrullë.
Këta zyrtarë policorë, po presin që të vijë ndonjë mjet transportues për të shkuar në shtëpi, pasi institucioni ku punojnë nuk ua siguron transportin.
Problemi rritet kur ata janë në ndërrimin e pasdites, pasi atëherë nuk ka as linja private të transportit, andaj këta zyrtarë policorë mbesin në mëshirë të qytetarëve, që dikush t’i afrojë deri në qytetin ku jetojnë.
“Ata ose duhet të udhëtojnë me veturat e tyre private ose duhet të mbeten në mëshirën e qytetarëve, nëse dikush qëllon rastësisht udhëton në drejtim të vendbanimit të tyre dhe i merr zyrtarët policorë, prandaj kjo çështje duhet të rregullohet, ose t’iu paguhet udhëtimi ose të rregullohet në një formë tjetër me një transport zyrtar”, tha kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.
Në fakt, transporti për zyrtarët policorë kishte qenë i rregulluar më herët përmes disa autobusëve, që kanë qarkulluar kryesisht nëpër qytetet e mëdha, por për shkak të vjetërsisë së tyre, ata tashmë janë jashtë përdorimit.
Të mos harrojmë që ka shumë pjesëtarë të policisë, e sidomos ata që punojnë në divizionin e sigurisë së objekteve, që udhëtojnë nga qytete mjaft të largëta, në fakt udhëtojnë edhe nga fshatrat, të cilët udhëtojnë për shembull nga qyteti i Kamenicës, Gjilanit, Vitisë e Vushtrrisë e kështu me radhë, të cilëve u duhet të udhëtojnë bukur gjatë në mes të natës, për me ardhur në vend të punës. Besoj që është mjaft e vështirë dhe është dashur dhe duhet gjithsesi që Policia e Kosovës të gjejë një zgjidhje për ta”, tha ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.
Sipas Qalajt, i cili për një kohë e kishte drejtuar vetë institucionin e policisë, thotë se ka buxhet të mjaftueshëm për blerjen e autobusëve të rinj dhe rregullimin e transportit, por që ka
keqmenaxhim brenda.
Sidoqoftë, Policia nuk ka treguar nëse ka në plan që për punonjësit e tyre ta rregullojë çështjen e transportit. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: