Plasin reagimet/ Gërvalla ‘trazon letrat’ e Lajçak dhe Escobar, ‘i madh e i vogël’ i reagojnë!

Zëvendëskryeministres Donika Gërvalla të parës iu dha fjala në një panel diskutimi në Forumin e Dubrovnikut.

Qysh në deklarimin e parë, ajo shkaktoi ‘tërmet’ me atë që tha!

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në Forumin në Dubrovnik bashkë me Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak, ka folur për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Sipas saj, BE-ja s’mund të ofrojë siguri për këtë rajon, pa përkrahjen e SHBA-së dhe NATO-s.

Sa i përket sigurisë, Gërvalla thotë se BE-ja është një “tigër prej letre” pa përkrahjen e dy fuqive si SHBA dhe NATO.

“Përshtypja ime është që BE-ja s’mundet. Sepse s’është, s’mundet. Sepse s’është e aftë që të ofrojë siguri. Arsyet janë të dukshme. S’ka vullnet politik. Shumë mosunitet ka në Union. Dhe pa SHBA dhe NATO-n, BE-ja është një “tigër prej letre” sa i përket sigurisë”, ka thënë Gërvalla.

“Tigri prej letre’ ishte deklarata që nxiti reagime qysh aty në Dubrovnik, e pastaj edhe në Kosovë.

Lajçak i thotë Gërvallës se BE është ëndërr e shteteve që janë duke trokitur në derën e BE, edhe Escobar ‘nuk e le keq’

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i është kundërpërgjigjur ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, për këtë deklaratë.

Ljaçak që ndodhej në një panel me Gërvallën, dhe fjalën e mori menjëherë pasi kryediplomatja kosovare përfundoi “sulmet” e saj ndaj Unionit, potencoi se BE-ja është unioni “më i mirë që e kemi”, duke shtuar se është ëndërr e shteteve që janë duke trokitur në derën e saj.

“Fillimisht, mendoj se duhet të them që BE-ja është larg perfeksionit, por është më i miri që kemi. Është unioni më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka një union tjetër të shteteve në këtë planet, që ka bërë stabilitet politik, ekonomik më të mirë, respektim të të drejtave”.

“Kështu që, unë mendoj që bashkimi në BE është një ëndërr e shteteve që janë duke trokitur në derën e BE-së. Në këto 20 vite, vetëm Kroacia iu bashkua BE-së, dhe procesi i zgjerimit ka humbur dinamikën. Dihet se diçka duhet të bëhet”, theksoi ai.

Edhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e bëri të qartë se nuk pajtohet me Gërvallën.

“Dhe më vjen keq që duhet të “dalloj” nga kolegia ime në Kosovë, por gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan, ka qenë kombinim i bashkëpunimit të BE-së dhe ShBA”, u shpreh ai.

‘I madh e i vogël’ reagojnë edhe në Kosovë

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndër të parët pas deklaratave që shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, ka bërë gjatë një Forumi në Dubrovnik duke e quajtur BE-në si një “tigër prej letre” që s’mund të ofrojë siguri në rajon pa SHBA-në.

Ahmeti thotë se është interesant se Gërvalla deklaron se BE-ja është tigër prej letre pa SHBA-në, dhe pyet se nëse BE-ja është ashtu pa SHBA-në, atëherë çfarë i bie të jetë Kosova pa BE dhe SHBA.

 

Zëdhënësja politike e LDK, Sibel Halimi, ka reaguar pas fjalorit dhe kritikave që shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gervalla, ka përdorur në Dubrovnik kundër Bashkimit Evropian.

Halimi thotë se përderisa Kosova po përjeton ditët e zymta nën sanksionet e BE-së, kryediplomatja kosovare ngrihet dhe kërkon llogari nga BE-ja për sigurinë, sikur të ishte që vendet e BE-së i japin llogari personale vetë ministers.

Tutje, zëdhënësja e LDK-së thotë e Gërvalla është zhytur në pikëpamje iluzive të një bote paralele, dhe sipas Halimit mori përgjigjen e merituar nga emsiarët.

Nga e njëjta parti, LDK, ka reaguar edhe deputetja, Doarsa Kica Xhelili, e cila ka ironizuar me deklaratën e Gërvallës.

Deputetja e LDK ka publikuar një foto të një foto në formë letre.

“Nuk e postova unë. Një fëmijë i vogël”, ka shkruar ajo.

Edhe Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Jashtme Donika Gërvalla, e cila e cilësoi Bashkimin Europian si një ‘tigër prej letre’.

Çitaku, në reagimin e saj ka thënë se kjo është papërgjegjësi, e përzier me megalomani dhe injorancë.

Ehat Miftaraj, njohës i sistemit të drejtësisë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka postuar një koment ironik në Facebook, duke thënë se Donika Gërvalla dhe Besnik Bislimi janë ministrat më të suksesshëm në qeverinë e kryeministrit Albin Kurti.

Edhe analisti Blerim Latifi ka reaguar pas deklaratave të zëvendëskryeministres, Donika Gërvalla, duke thënë se dëmtohet imazhi i Kosovës, dhe vetë reputacioni i kryediplomates.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se Kosova nuk mund të tallet me BE-në, derisa theksoi se “tigri prej letre”, është slogani i Mao Ce Dunit, figurë politike e komunizmit kinez.

Nuk e la pa reaguar edhe analistja Zana Avdiu.

Avdiu përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka përmendur se në vende të BE-së jetojnë shumë shqiptarë, derisa cilësoi se ‘më shumë se 100 mijë persona janë larguar nga vendi vetëm derisa Gërvalla ka qenë ministre’.

“Me keso diplomate, deshtimi eshte i sigurt!”, ka shkruar tutje ajo.