Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se për kryeministrin Albin Kurti, dorëheqja e tij është më normale se tërheqja nga veriu i vendit.
Haxhiu ka theksuar se nëse kryeministri tërhiqet nga veriu, do të duhet të tërhiqen forcat e sigurisë edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ndërsa Lulzim Hetemi, kryetari i Leposaviqit, sipas tij, nuk do të tërhiqet nga pozita e tij.
Ai beson se Hetemi nuk do ta zbatonte as vendimin e kryeministrit ose të kujtdo qoftë për tërheqjen nga kryesimi i komunës së Leposaviqit në veri.
“Për situatën aktuale e shoh më normale për kryeministrin dorëheqjen e tij, sesa tërheqjes nga Veriu. Sepse ka me i tërheq edhe policinë, ka me tërheq Antiqin, ndërsa nuk ka me tërheq Lulzim Hetemin. Me aq sa e njoh unë Lulzim Hetemin, me aq sa e njoh familjen Hetemit, ai djalë nuk do të tërhiqet. Ai nuk do ta zbatojë vendimin e kryeministrit ose kujtdo qoftë për me u tërheq prej veriut. As nuk ka me pa mundësi dikush me i siguru 20 mijë nënshkrime për me e zhvendos ose me ia marrë mandatin, apo me e siguru numrin e votave 50 për qind”, ka deklaruar ai.