Ish-diplomati Zoran Millivojeviq, me rastin e lirimit nga paraburgimi të tre policëve të Kosovës, ka thënë se sipas tij, vendimi i gjykatës ka eliminuar mundësinë që Serbia të jetë përgjegjëse në çfarëdo mënyre për përshkallëzimin në Kosovë.
‘’ Mendoj se është një vendim i mirë i gjykatës, i cili nuk e vë në pikëpyetje procedurën gjyqësore në Serbi dhe përgjegjësinë e tyre. Ata u liruan dhe në njëfarë mënyre u eliminua mundësia që Serbia të akuzohej për ndonjë gjë’’- tha Millivojeviq, raporton Kosovo Online.
Millivojeviq shtoi se sipas tij, Kurti me të gjithë mekanizmat e tij, siç janë mbajtja e zgjedhjeve, vendosja e kryetarëve nepër komuna, etj. vetëm po ngre tensionin.
‘’ Aspirata është që të arrihet dominimi në veri të Republikës së Kosovës. Pati një tentativë me ato zgjedhje të paligjshme dhe me rezultatet që i pamë si ishin dhe me tentativën për të vendosur ata kryetarë komunash, dhe të arrihet kontrolli i plotë në veri të Kosovës pas aplikimit të mekanizmave të qeverisë, ky ishte një synim nga i cili Kurti nuk hoqi dorë dhe nuk ka asnjë ndryshim në këtë kuptim. Ashtu siç nuk ka asnjë ndryshim kur bëhet fjalë për masat që ai merr, ai ngre tensionin dhe ngre shkallën e përshkallëzimit pothuajse deri në pikën e vetë konfliktit’’- shtoi Millivojeviq.
Duke komentuar deklaratën e fundit të Komisionerit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Giuseppe Borej, se është e nevojshme të zhvillohen zgjedhje të reja në veri të Kosovës, Millivojeviq thekson se gjatë fjalimit të tij nuk është përmendur formimi i Asociacionit.
Ai shtoi se sipas tij dy palët nuk po trajtohen në mënyrë të barabartë në ndarjen e përgjegjësive në Kosovë, duke menduar se Serbia është në presion, sepse sipas tij Serbia nuk ka asnjë përgjegjësi.
‘’ Serbisë po i bëhet presion që edhe ajo të marrë pjesë në përgjegjësi së bashku me palën prishtinase dhe kështu në një farë mënyre të amnistohet pala prishtinase nga masat dhe lëvizjet që po bën. Sërish kemi standarde të dyfishta në skenë, kemi tentativa për ta sjellë palën serbe në të njëjtin nivel me atë të Kosovës. Nuk kemi masa, kemi angazhime verbale’’- tha Millivojeviq.
I pyetur nëse mendon se zgjedhjet do të mbahen ende në veri, Millivojeviq vlerëson se është e qartë se BE-ja do të insistojë në këtë periudhë në vijim dhe përsërit se kjo vështirë se është e pranueshme për palën serbe, sepse as nuk përmendet Asociacioni e sipas tij vetëm ai iu siguron një jetë normale serbëve në Kosovë.
‘’ Kam frikë se kjo vështirë se është e pranueshme për serbët në Kosovë, sepse pa Asociacion ata nuk kanë garanci kryesore për jetën e tyre normale, për pjesëmarrje në jetën politike, për votim. Mendoj se pa Asociacionin dhe kthimin në gjendjen e mëparshme, përfshirë angazhimin e autoriteteve të Prishtinës me policinë, forcat e sigurisë dhe represionin, vështirë se mund të ketë një deeskalim dhe normalizim të situatës dhe kthim në dialog’’- tha ndër të tjera ai.