“Do të ishte mirë të pendoheshin”- Albulena Haxhiu, zbulon emrat e deputetëve që votuan “Zajednicën”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkruar për deputetët e legjislaturave të mëhershme që votuan  marrëveshjen Thaçi-Daçiq të arritur në Bruksel, ku njëra nga pikat ishte edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, duke publikuar emrat e tyre.

Ky veprim i saj vjen në kohën kur Kosova ka presion të madh ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit.

Haxhiu këtë veprim e ka bërë në llogarinë zyrtare të saj në ‘Facebook’, teksa akuzoi pushtetet e kaluara për, siç e quajti ajo, rehabilitim të shërbimeve të BIA-s.

“Karakterin një-etnik, delegimin kundër-kushtetutes të kompetencave ekzekutive dhe krijimin e një shtrese të tretë të pushtetit të qeverisjes që e mëtonte kjo marrëveshje e parimeve, gjykata do t’i gjente në shkelje të kushtetutës dy vite më vonë kur kësaj marrëveshje ju sqaruan e zhvilluan kompetencat me marrëveshjen Mustafa-Vuçiq më 25 gusht të vitit 2015”, deklaroi ndër të tjera Haxhiu.

“Strukturat paralele ilegale nga shërbimet e BIA-s, “Mbrojta Civile” dhe “Rojat e Urës”, në vend të shpërbërjes u rehabilituan në institucione të Kosovës. Pasi nuk u shpërbënë, ato kurrë nuk u integruan. Sot, dhjetë vite pas, përveçse ilegale kryejnë edhe vepra terroriste e kriminale siç e pamë me 29 maj të këtij viti në Zveçan si dhe me aktin terrorist që u parandalua para katër ditësh po ashtu në Zveçan”.

“Disa nga emrat që e kanë votuar Asociacionin/Zajednicën para 10 viteve e kritikojnë atë sot, por do të ishte mirë që kritikës t’i paraprijë pendimi e kërkim falja.

Asisoj do të kuptohej sinqeriteti në kritikë e besimi në angazhim”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ministres.