Tre policët e Kosovës që u kidnapuan 12 ditë më parë nga pjesëtarë të njësive speciale janë liruar sot nga mbajtja në paraburgim.
Sekretari në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, ka publikuar fotografi me tre policët e liruar që u mbajtën në Serbi gati për dy javë.
Por, procedura ndaj tyre në Serbi nuk do të ndërpritet edhe pse nuk do të ketë efekt pas kthimit të tyre në Kosovë. Gjykata në Kralevë atyre ua ka konfirmuar aktakuzën, ndërkohë që është marrë vendimi që atyre t’u ndërpritet paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.
Mediat nën ndikimin e Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq vazhdojnë t’u referohen atyre si pjesëtarë të njësive speciale.
“Pas kryerjes së procedurës paraprake dhe ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë kundër të dyshuarve B.S., R.Z. dhe Sh.M. për secilin vepër penale prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse, substancave nga neni 348,paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, trupi gjykues i Gjykatës së Lartë në Kralevë ka konfirmuar aktakuzën kundër të pandehurve të lartpërmendur dhe ka nxjerrë aktvendim me të cilin të pandehurve u është ndërprerë paraburgimi”, thuhet në vendim.