Një grua dhe djali i saj, 5-vjeçar humbën jetën të shtunën si pasojë e përmbytjeve në Pejë. Dritan Ademaj cili humbi djalin dhe gruan rrëfeu për Euronews Albania se ka qenë ora 21:50 kur ai sapo kishte dalë nga dushi. Nuk kaloi shumë kohë kur uji mori para gjithçka në shtëpinë e tyre, siç tregoi ai.
“Fëmijët i kam kapur në dorë, unë njërin, babi mori vajzën e vogël, shoqja kapi djalin që tashmë nuk është, s’di të ta shpjegoj më shumë, jam munduar t’i shpëtoj të gjithë, pastaj na zuri dhe korrenti, aty e kam humbur komplet ekuilibrin dhe s’kam ditur as ku jam. Për 30 sekonda u mbush gjithë shtëpia me ujë,” – tregoi ai.
Sipas Dritanit, nëse nuk do të ishte për korrentin mund të kishin shpëtuar të gjithë. Ai vet ka lëndime bashkë me djalin e madh. Vajza fatmirësisht ka shpëtuar pa u lënduar.
Ndërkaq, Dritani tha se për 3 herë kishte mundur ta shpëtonte të shoqen, por herën e fundit kur kishte kthyer kokën atë e kishte marrë rrjedha dhe u gjet 3 banesa më tej e vdekur.
Ai vet për 3 orë e gjysmë kishte qëndruar duke u mbajtur pas një hekuri, gjë që i ka sjellë jo pak shqetësime shëndetësore.