Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas lirimit të tre policëve të Kosovës nga Serbia, dymbëdhjetë ditë pas rrëmbimit të tyre në veri të Kosovës.
Rama e ka quajtur lajm të mirë e të vonuar lirimin e policëve, duke ritheksuar se ata nuk kanë kryer asnjë krim.
“Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës.” – shkroi tutje kryeministri shqiptar duke kërkuar që të vazhdohet më tej edhe me de-eskalim dhe dialog mes Kosovës dhe Serbisë.
Rama ka treguar se ka mbërritur në Bruksel, dhe ka dhënë idenë për një konference “pa afat kohor” e “të mbyllur brenda mureve të një strukture mikrpritëse” ku do të përmbylleshin të gjitha pikat e marrëveshjes së normalizmit.
Kryeministri shqiptar ka akuzuar si Kurtin si Vuçiqin se i kanë sytë kah “fronti i politikës së brendshme” dhe sondazhet – që ai i quan – të përflakura nga retorika nacionaliste.
“Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin.” – vazhdon argumentin e tij Rama.
Ai ka kërkuar që të shmanget mundësia e një (sic.) “Donbasi ballkanik mu në zemër të Evropës.”
Rama ka paralajmëruar se një degradim tjetër i situatës në veri do t’i kushtonte më së shumti Kosovës, me një “kthim të mosozotshëm mbrama, me pasoja shumëvjeçare”.
“Shqipëria do të bëjë çmos që kjo të mos ndodhë, sepse do të ishte një çmenduri që paqja e brishtë që kemi ndërtuar përgjatë këtyre viteve, në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe përmes nismash të ndryshme, të rrënohet si kështjellë rëre nga rikthimi i dallgës së marrëzisë ballkanike, duke na rihedhur të gjithëve jashtë rrugës së integrimit europian, në fuçinë e vjetër të barutit në mes të Europës.” – është shprehur z. Rama.
Kryeministri i Shqipërisë po falenderohet nga shumë qytetarë të Kosovës pas lirimit të policëve megjithëse nuk dihet saktë se cili ishte kontributi i tij. Rama kishte kërkuar lirimin e menjëhershëm duke paralajmëruar madje edhe me dëmtim të raporteve bilaterale me Serbinë nëse kjo nuk ndodhte.
Kujtojmë se Rama kishte propozuar një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, dhe i cili ishte quajtur konstruktiv nga emisari amerikan Gabriel Escobar.
Postimi i plotë