Konfliktet në familjet kosovare janë mjaft të shpeshta dhe jo rrallëherë këto raste kanë përfunduar në Polici. Mosmarrëveshjet për prona, paratë e arsye të ndryshme janë motivet që i shtyjnë baballarët, vëllezërit e motrat që të përshihen në përleshje të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.
Një incident i tillë ka ndodhur edhe dje, në një familje në Prizren dhe këtë herë janë të përfshirë dy vëllezër.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti është denoncuar në Polici nga njëri prej tyre, i cili ka raportuar se vëllai i tij pasi ishte kapur me të, ia ka sulmuar bashkëshorten dhe për të mos mbaruar me kaq, e ka rrahur edhe motrën e tyre.
Gjithçka dyshohet se ndodhi pasi viktima u largua nga shtëpia dhe vëllai i tij dyshohet se shfrytëzoi rastin, për t’iu hakmarrë, duke çuar dorë mbi kunatën.
Si rezultat i denoncimit, palët janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë dhe kanë rrëfyer në detaje se si ndodhi rasti në shtëpinë e tyre.
Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.