Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar për vdekjen e dy personave në Pejë për shkak të vërshimeve nga të reshurat e mëdha të shiut në këtë qytet.
Haxhiu është shprehur e shqetësuar për vdekjen e nënës dhe djalit të saj nga vërshimet.
“Bashkëndjejmë me dhimbjen e familjarëve për humbjen e më të dashurve të tyre, me shpresën që kjo të jetë ngjarje e fundit e trishtë që ndodhë jo vetëm si pasojë e kushteve natyrore por edhe si papërgjegjësi institucionale në ndërtimin cilësor të infrastrukturës urbane.” – ka shkruar ajo.
Shkrimi i saj i plotë:
Mbrëmja e djeshme në Pejë shkaktoi shqetësim tek qytetarët atje dhe në të gjithë Kosovën në përgjithësi. Mëngjesi i sotëm u bë edhe më pikëllues kur kuptuam se nga përmbytjet në disa pjesë të qytetit, pas të reshurave të shiut, paskan humbur jetën fëmiju 5 vjeçar dhe nëna e tij.
Institucionet lokale atje si dhe mekanizmat të tjerë shtetëror po veprojnë që kjo krizë të tejkalohet sa më parë dhe duhet të bëhet maksimumi në kushtet optimale të rregullimit infrastrukturor që vërshimet e tilla të mos përsëriten.
Bashkëndjejmë me dhimbjen e familjarëve për humbjen e më të dashurve të tyre, me shpresën që kjo të jetë ngjarje e fundit e trishtë që ndodhë jo vetëm si pasojë e kushteve natyrore por edhe si papërgjegjësi institucionale në ndërtimin cilësor të infrastrukturës urbane.