“Më lejoni të tregoj diçka që njerëzit nuk e dinë…”
Kështu e nisi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bisedën për Kosovën në televizionin kryekëput propagandistik serb “Tv Pink”. Siç është rëndom në stilin e tij të bëjë, ai e identifikoi një “keqbërës” të jashtëm – Turqinë.
Forca e Sigurisë së Kosovës, tha ai, “po armatoset seriozisht” nga Turqia. Dronë bajraktarë, raketa anti-tank dhe topa gjuajtës me rreze të gjata tashmë janë pajisje që FSK i ka, tha ai, dhe “i ka nga Turqia”.Për shkak se, siç vazhdon të gëzojë iluzion ai, “FSK është një ushtri që nuk duhet të ekzistojë…Serbia më do të ndalojë blerjen e këtyre armëve nga Turqia” dhe do të kthehet kah Lindja e Mesme “ku brenda pesë muajsh do të blejmë 1 mijë dronë kamikazë”, por pa e përmendur në emër të përvetshëm Iranin.
“Dua t’u tregoj njerëzve diçka që nuk e dinë. Turqia e ka armatosur seriozisht FSK-në…Turqia u ka dhënë raketa anti-tank, dronë Bajraktarë, topa me rreze të gjatë. Këto i ka FSK-sot”.
“Ne refuzuam të blejmë bajraktarë sepse ata ia dhanë Prishtinës. Nuk do të bashkëpunojmë më me ta në këtë. Dronët kinezë, CH-90, na kanë ardhur kohëve të fundit. Brenda pesë muajsh, do të kemi 1 mijë dronë kamikazë që i kemi porositur nga Lindja e Mesme, për të parandaluar një agresor potencial”, shtoi Vuçiq.
Duke vazhduar të jep shpjegime dhe konstatime militare, presidenti serb tha se Ushtria e Serbisë “është shumë e madhe se FSK” por se këta të fundit “po armatosen ditë e më shumë”; e në rend të parë, tha ai, “përmes mjeteve turke”.
Vuçiq, ndonëse shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku njëra nga parakushtet e anëtarësimit e ka “bashkërendimin e politikave të jashtme dhe të sigurisë me BE-në”, haptazi tregoi se do të vazhdojë prokurorimin e dronëve dhe armëve kineze. Por, kësaj here ai e çoi edhe më tej në “dronë kamikazë…nga Lindja e Mesme” por pa e bërë të qartë se ka ndërmend Iranin.
“Turqia po armatos seriozisht FSK-në e cila nuk mund të ekzistojë brenda ligjit ndërkombëtar. Por, atyre aq u bën për të drejtën ndërkombëtare. Po ndërtojnë ushtri që s’duhet të ekzistojë. Na thonë se: eh po ka ndryshuar kjo sepse janë të pavarur. Ata janë të pavarur sipas të drejtës të më të fortit, e cila erdhi nga agresioni. Turqit u dhanë anti-tank raketa, howitzera dhe bajraktarë. Krejt këto i ka FSK sot. Nuk e kanë ngritur flamurin ende sepse NATO s’ua ka dhënë. Kanë optikë imazhesh termike, me rreze të gjatë dhe ne duhet të kemi kujdes të tepërt dhe të kemi mjete adekuate nëse kërcënohen njerëzit tanë”, ka thënë Aleksandar Vuçiq.
“Është e pamundshme”, tha presidenti serb, “që Serbia të bombardohet si më 1999”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjithashtu komentoi kontigjentin e ri prej 500 ushtarësh turq që kanë arritur së fundmi në Kosovë, teksa vlerëson se kësaj gjëje “i janë gëzuar” pala kosovare teksa shton se “qëllimi i Kurtit është të na ngrejë në luftë me NATO-n”.
“Gjithçka që unë dua të shmang ai e dëshiron. Janë të kënaqur që turqit janë në veri. Gjuhët e liga do të thonin se do të vazhdojë shndërrimin e gjelbërt prej Pazarit në zonën e jugut të Ibrit. Nuk e mendoj se kjo ka qenë arsyeja”, ka thënë ai.
Këtu ai u ndal të komentojë “kërkesat e disave” se pse Ushtria e Serbisë nuk futet në Kosovë.
“Po doni të nisemi poshtë? Por, kjo s’është Autokomanda dhe fjalim falso patriotik. Sepse pastaj s’e bëni. Doni ushtri profesionale për këtë. Dhe kur ushtarët e parë të vinë në tabutë, thonë se s’është lufta jonë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të brengosemi çfarë thotë Perëndimi e Lindja”, ka thënë ai.