Rama: Rrezikohet përplasje e armatosur në veri të Kosovës

Për shkak se e sheh real rrezikun që veriu i Kosovës të kthehet në Donbasin e Ballkanit, kryeministri Edi Rama ka dalë në të tretën konferencë për shtyp brenda 10 ditëve për situatën në veriun e Kosovës.

“Të ndikojmë që çdolloj kërcitje armësh të mbahet larg nga Ballkani. Përplasje, e cila edhe sikur 3 orë të zgjaste, do të rezultonte fatale.”

E me këtë shqetësim që situata mund të përshkallëzojë nga momenti në moment dhe të ndez fitilin e barutit të fuqisë ballkanike, Rama lajmëron se ka marrë një tjetër hap duke i shkruar Macronit dhe Scholzit që të shtyjnë për t’i ulur bashkë Kurtin e Vuçiçin, madje pa të drejta kundërshtimi.

“2 liderët të merren dhe të mbyllen brenda pa të drejtë dalje deri kur të përfundojnë bashkëbisedimi.”

Por ndërkohë, Rama që shpjegon se vëmendja e shtuar e tij nuk mund të jetë asesi ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës, këmbëngul duke i përsëritur apelin Serbisë për të liruar sa më parë tre policët.

“3 efektivë të një shteti tjetër për shkelje kufiri. Ta zëmë se kanë shkelur kufirin. Pastaj, Serbia nuk e njeh fare atë kufi, çfarë problemi ka tani, apo po njeh shtetin e Kosovës tani dhe kufirin? Kjo është një lajthitje shtetërore.”

Kryeministri nuk pohon në asnjë moment që komunikimet intensive me Beogradin për lirimin e efektivëve janë bërë drejtpërdrejt me Vuçiçin, por deklaron se nëse thirrjet e tij nuk do të dëgjohen, atëherë dhe nisma “Ballkani i Hapur” është në rrezik për të dështuar.

“Jo, nuk ka asnjë takim tjetër, nuk ka asnjë zhvillim tjetër. Çdo kanal komunikimi ka vetëm një fjali “lironi 3 policët e Kosovës””.

Ndërkohë, pranon që edhe Kurti nuk e ka dëgjuar thirrjen e tij për t’u takuar për këtë çështje, por i kujton se rajoni nuk është as i tij dhe as i Vuçiçit, dhe vendimarrjet nuk mund të merren për përfitime elektorale.

“Sepse Albini lexon sondazhet dhe kënaqet që i rriten poenat.”

Rama e di me siguri që përfitimet nga gjithë tensioni në Ballkan janë vetëm te një njeri.

I vetmi përfitues nga kjo situatë ëshët ai zotëria që rri në bunkierin e tij në Kremlin.”

Për të gjitha arsyet që e nxorën në konferencë vetëm pak minuta pasi u kthye në atdhe nga Izraeli, Rama nuk pranoi të bëjë asnjë koment për operacionin policor në kampin e muxhahedinëve e aq më pak, pranon të zbulojë nëse do të shkohet drejt prishjes së marrëveshjes dhe largimit të tyre nga Shqipëria.