Mehaj: Lëvizja e ushtrisë në jug të Mitrovicës s’ka të bëjë me situatën në Veri, ishte ushtrim i rregullt

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se ushtrimit të sotëm të ushtarëve të FSK-së në jug të Mitrovicës nuk duhet t’i jepet konotacion tjetër. Përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar, Mehaj ka thënë se ka qenë një marsh i organizuar për ngritje të gatishmërisë fizike të ushtarëve, shkruan Express.

Mehaj tutje ka thënë se një lëvizje e tillë e trupave të FSK-së s’ka të bëjë asgjë me situatën e sigurisë në veri të Republikës së Kosovës.

“Marshime të tilla janë të rregullta, ky ushtrim gjithashtu ka qenë në kuadër të planit vjetor dhe është realizuar sot, prandaj bëjmë apel tek të gjithë që aktiviteteve të tilla mos t’iu jipet konotacion tjetër. Marshimi nuk ka të bëjë asgjë me situatën e sigurisë në veri të Republikës”, ka shkruar Mehaj, raporton Express.

Ministri i Mbrojtjes ka thënë se përgjegjësinë për sigurinë e qytetarëve e ka Policia e Kosovës dhe një detyrë të tillë po e kryen me sukses.

“Përgjegjësinë për sigurinë e qytetarëve tanë e ka Policia e Kosovës e cila është në krye të detyrës dhe është duke kryer me shumë sukses punën e saj”, ka thënë Mehaj në reagimin e tij.