Borrell ka një plan me disa pika që do ta shtensionin situatën në veri të Kosovës. Kurti ka pikëpamjet e tij se si duhet të ndodhë kjo, që është më ndryshe se ajo që e propozojnë ndërkombëtare. Vuçiq është deklaruar i pashpresë. Të dy nuk janë takuar me njëri-tjetrin.
Gazeta Express
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizim të raporteve muaj më parë. Por, raportet janë aq jonormale, saqë ndërmjetësit evropianë nuk arritën t’i ulin së bashku në një takim në Bruksel. Ai që u mbajt dje është titulluar “takim për menaxhimin të krizës”.
Rrjedhimisht, Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Jesep Borrell dhe emisari Miroslav Lajcak, të enjten kanë biseduar për katër orë me Kurtin dhe Vuçiqin, ndaras.
Pas takimeve, Borrell doli me propozimet për shtensionimin e situatës, ku çdo gjë nis me një hap që, sipas ndërkombëtarëve, duhet ta bëjë Kosova.
“Për Kosovën, që menjëherë të pezullojë operacionet policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Serbia të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës”, ka thënë Borrell.
Borell kërkon zgjedhje të reja, ndërkaq Kryeministri Kurti pajtohet t’i mbajë ato, por me një kusht.
“Kjo është rrënja e problemit dhe rrënja e zgjidhjes – zgjedhje të reja sa më parë me pjesëmarrje të plotë”, ka thënë ai.
“Zgjedhjet e parakohshme jemi të hapur, por duhet të kenë zgjidhje ligjore. S’mund të bëhen jashtë ligji. Siç e parasheh ligji, ta zëmë me nënshkrime të qytetarëve, që t’ia përfundojnë mandatin një kryetari. Kjo është një zgjidhje brenda ligjit. Por s’mund të bëjmë zgjidhje joligjore”, ka thënë Kurti.
Derisa ndërmjetësit besojnë se shtensionimi ndodh me largimin e kryetarëve të zgjedhur shqiptarë nga objektet e komunave veriore të Kosovës, Kurti ka një tjetër “udhërrëfyes” deeskalimi.
“Për bindjen time deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm, të grupeve kriminale e ilegale, që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave”, tha Kurti, pas takimit.