Mbi 4 orë diskutime me Kurtin e Vuçiqin, Borrell del para gazetarëve dhe tregon se për diçka janë pajtuar

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka dalë në një konferencë për media pas takimeve mbi katërorëshe me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, në një përpjekje për t’i dhënë fund tensioneve në veri të vendit. I vetmi pajtim që është arritur, sipas Borrell, janë zgjedhjet e parakohshme në 4 komunat veriore, por për modalitetet se si dhe kur të organizohen, ka thënë ai, do të punohet ende.

“Për të bërë përpjekje për të ecur përapra, kam nxjerrë në tryezë propozime konkrete dhe në këtë kontekst jemi pajtuar për nevojë për zgjedhjet e reja dhe kemi diskutuar për modalitetet dhe hapat për të arritur atje. Ende nuk kemi arritur atje”, ka theksuar ai.

Borrell ka thënë se para palëve ka bërë propozime konkrete, që kanë të bëjnë me tërheqjen e forcave speciale policore të Kosovës nga afërsia e 4 objekteve komunale, tërheqjen e kryetarëve nga objektet komunale si dhe frenimin e protestuesve serbë nga dhuna.

“Kemi shpenzuar më shumë se 4 orë së pari me Kurtin dhe më pastaj me Vuçiqin, për ta gjetur një zgjidhje.

“Kemi prezantuar para palëve pritjet tona. Nga Kosova kemi kërkuar suspendimin e aktiviteteve policore nga objektet komunale dhe kryerjen e detyrave të 4 kryetarëve nga lokacione alternativë dhe nga Serbia që të tërheqë protestuesit”, ka thënë Borrell.

Borrell i ka parë si urgjente zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore. Pas qetësimit të situatës, duhet të vazhdojë dialogu i BE-së si dhe të implementohen marrëveshjet e arritura, ku parashihet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

“Zgjedhjet e reja, zgjedhjet e hershme, aq më shpejt që është e mmundur. E pastaj, pasi të qetësohet situata, të vazhdohet dialogu i fasilituar nga BE. Duhet të kthehemi të impelementimi i marrëveshjeve që janë arritur së fundmi dhe pa vonesa të nis themelimi i Asociacionit të Komunave serbe”, ka deklaruar ai.

“Të bëhemi të qartë, nuk mund të ketë falje për dhunën në protesta, por kjo gjë duhet t’i lihet gjyqësorit”, ka shtuar Borrell.