Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të enjten në Bruksel para mediave foli për zhvillimet nga takimet bilaterale me shefin e Politikës së Jashtme e të Sigurisë së BE-së, Josep Borrell, si dhe me ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ku tregoi se takimi nuk ishte trelateral, pasi që sipas tij, pala tjetër në këtë rast Serbia ka refuzuar një gjë të tillë.
Kryeministri Kurti ka thënë se në fillim të takimit u ka prezantuar një dokument përfaqësuesit të BE-së, Borrell dhe Lajçakut lidhur me rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë kufitarë të Kosovës në veri më 14 qershor.
Ai tha se ka kërkuar që policët të lirohen sa më parë dhe të dënohet agresioni i Serbisë ndaj Kosovës.
Kurti tha po ashtu se sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme në veri, është e natyrshme se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.