Ish i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell, ka vizituar sot Mitrovicën e Veriut. Ai, pas takimi me përfaqësuesit e Listës Srpska, ka ecur me këta fundit në pjesën veriore të Mitrovicës.
Kujtojmë se pjesë e takimit me të ishin kryesia e Listës Serbe, duke përfshirë presidentin Goran Rakiq dhe nënkryetarin Igor Simiq, ish-kryetarin e Komunës së Zveçanit Dragisha Miloviq, si dhe drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore nga Republika e Kosovës.
Takimi me Grenelin nuk ishte paralajmëruar më herët për arsye sigurie. Ndërsa, gjatë krizës së fundit në veri të Kosovës, Grenell kritikoi disa herë veprimet e autoriteteve kosovare dhe kryeministrit Albin Kurti për shkak të refuzimit të tyre të vazhdueshëm për t’iu përgjigjur kërkesave të SHBA-së dhe BE-së për de-përshkallëzimin e situatës.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Kurtit që të tërheqë policinë speciale nga ndërtesat komunale në veri, që kryetarët e sapozgjedhur të punojnë nga lokacione alternative dhe që zgjedhjet e reja të mbahen menjëherë me pjesëmarrjen e plotë të serbëve.