Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, ka reaguar ndaj një deklarate të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën ky i fundit ngre dyshimet se Jabllanoviq mori 1 milion euro dhe dy banesa për t’u tërhequr nga gara për kryetar komune.
Kandidati për kryetar i Komunës së Leposaviqit, njëherësh kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, ishte tërhequr vetëm tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës.
Një veprim i tillë ka bërë që kryeministri Kurti të ngre dyshime se Jabllanoviq është shpërblyer nga Beogradi për një veprim të tillë.
“Mendova se të paktën Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai doli nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd”, ka thënë Kurti sot në një video adresim.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Jabllanoviq, duke thënë se në një sistem serioz demokratik, sot do të intervistohej Kurti ose ai
“Në një sistem serioz demokratik sot në prokurori do te intervistoheshim ose zoti Albin Kurti, ose unë. Meqë jemi larg demokracisë, kryeministrit po i jap 1 banesë dhe 500 mije euro, po i kërkoj vetëm të më tregojë ku është apartamenti tjetër dhe pjesa tjetër e parave”, ka shkruar Jabllanoviq.
Pas dorëheqjes së katër kryetarëve nga komuniteti serb në komunat në veri të vendit, më 23 prill të këtij viti u mbajtën zgjedhjet lokale në këto komuna.
E kandidati për kryetar i Komunës së Leposaviqit, njëherësh kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq vetëm tri ditë para mbajtjes së këtyre zgjedhjeve u tërhoq nga gara.
Pas zgjedhjeve të prillit dhe zgjedhjes së katër kryetarëve të rinj atje, situata ka filluar të tensionohet dhe bashkësia ndërkombëtare ndër të tjera ka kërkuar që të mbahen edhe një herë zgjedhjet.