Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës, ka akuzuar për “korrupsion” Faton Bislimin, ish-anëtar i kryesisë së LDK-së.
Madje Arifi thotë se dorëheqja e Bislimit ka ardhur për shkak që siç thotë ai “aferës”.
Ai tha se Qeveria e Kosovës ka autorizuar Faton Bislimin për të dërguar një grup politikanësh nga Lugina e Preshevës për në SHBA, duke marrë 142 mijë euro prej 2 milionë sa janë ndarë nga Qeveria.
E ai thotë se në atë delegacion nuk është ftuar partia më e madhe në Preshevë që ai e drejton.
“Pak përpara se me u organizu tripi për Amerikë e ka hapur një adresë postare, një adresë fake, një kompani e cila nuk ka zyre e lërë më licencë zbatimi për lobim. Fatoni i ka pranu 142 mijë euro prej 2 milionëve për me i dërgu njerëzit atje pa licencë për shkak të lidhjes së tij me Besnikun. Edhe kjo është pjesë e kallëzimit penal”, ka thënë Arifi në Pressing të T7.
Ai nuk ka nguruar ta quajë Bislimin “hajdut”, duke thënë se ka zhvatur paratë publike përmes Besnik Bislimit.
Këto akuza të tij, Sadri Ramaja i ka quajtur “akuza të rrejshme”.