Deputeti Haki Abazi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pas arrestimit të policëve kosovarë, situata në vend është e rëndë dhe nëse Kosova dhe Serbia nuk tërhiqen nga tensionimi i situatës, mund të ketë humbje jetësh.
“A ka qenë rruga më e mirë që ta kthejmë mundësinë e vendosjes së veriut në një administrim ndërkombëtar apo qoftë edhe një dorë e NATO-s nëpërmjet KFOR-it për ta kontrollu situatën atje edhe për të parandalu palët që të gjenden në një situatë çfarë u gjendën në këto dy muajt e fundi, sidomos me arrestimin e tre policëve të Kosovës atje, e cila mund të përfundojë siç e dimë në Ballkan me situata të tmerrshme, ku ka humbje, vrasje dhe mendoj që këtu është edhe frika e përfaqësuesit special, duke tërheqë para paralele me të kaluarën që një incident i tillë mund të përshkallëzojë situata dhe befasisht mund të gjendemi në një situatë që gjithë mund ta dinë se çfarë është, por askush nuk do ta shohë në një moment çfarë jemi tani”, tha Abazi.
Ai komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Rama, ku ky i fundit Kosovën e ka quajtur “Republika e KFOR-it”, duke thënë se deklaratat e një kryeministri të një shteti anëtar të NATO-s duhet të merren seriozisht.
“Deklaratat e kryeministrit Rama tentojnë me përçu mesazh në gjendjen edhe analizën e informacionit që ka. Sigurisht që një kryeministër i një shteti i anëtarit të NATO-s duhet me marrë me shumë seriozitet, pavarësisht se në çfarë forme mundet me tingëllu sigurisht që ka indikacione e paralajmërime që mos tërheqja si themi e palëve prej idesë së tensionimit të situatës mund ta detyrojë bashkësinë ndërkombëtare që ta ngrisë angazhimin. Shtimi i numrit është për mua brengosës, sepse nuk vie pa analizë secilit anëtar të NATO-s duhet t’i shpjegohet veç e veç pse duhet shtuar numri i KFOR-it dhe kjo e bën realisht deklaratën ma pak të rëndësishme, sesa vetë përmbajtjen e asaj se çfarë po ndërmerr realisht NATO për veriun e Kosovës”, tha Abazi. /atvlive.tv