Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se në veri asnjëherë më parë nuk ka pasur “shtrirje të sovranitetit” më shumë sesa sot.
Bulliqi tha në Frontal në T7 se nuk pati rastin që të flasë sot me kryeministrin Albin Kurti, për situatën atje, megjithëse shefi i Qeverisë ishte aot në Podujevë me rastin e vënies së gurthemelit të një çerdheje.
“Nuk patëm rastin të diskutojmë për situatën në veri, por gjithsesi jemi pranë kryeministrit Kurti”, tha Bulliqi.
“Po ju pyes a kemi ndonjë vit tjetër që kemi pasur shtrirje të sovranitetit në veri më shumë sesa sot?”, tha ai ndër tjerash, duke komentuar zhvillimet e fundit në atë pjesë të vendit.
Ai tha se veriu tani është një territor që “kontrollohet komplet nga shteti i Kosovës”.
“Atje është kah funksionon shteti ligjor”, tha Bulliqi, duke shtuar se beson që “gradualisht ajo pjesë do t’i kthehet stabilitetit”.
Sa i përket marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bulliqi tha se “gjithmonë ka vend për avansim dhe përmirësim”, por shtoi se Kosova i dëgjoi ndërkombëtarët për t’i shtyer zgjedhjet në veri.
“Ne edhe mund ta mirëkuptojmë ndonjë kërkesë të ndërkombëtarëve”, por Bulliqi tha se s’ka kuptim që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë në objekte alternative.
“S’ka logjikë mos me qenë në komunë”.