Kurti: Për takimin në Bruksel do të vendos pasi ta kuptoj gjendjen e tre policëve të kidnapuar

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është njoftuar për një takim të radhës në Bruksel që sipas tij mund të mbahet me datë 22 ose 23 qershor, porse ka shtuar se është ende i pavendosur nëse do të marrë pjesë.

Ai ka shtuar se do të presë vizitën e shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, në burgun e Kralevës aty ku po mbahen tre policët kufitarë.

Ka shtuar se kur t’i ketë të dhënat se si janë policët, do të marrë vendim nëse do të shkojë në takimin në Bruksel.

“Kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë që po mbahen peng në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë, do ta marr vendimin dhe do ta jap njoftimin. Vizita (e Jasharit v.j.) është menduar për ditën e nesërme dhe unë do të jem në kontakt me ambasadorin që të më njoftojë për gjendjen e këtyre policëve që po mbahen rob në Serbi”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar tutje që ka kërkuar nga Policia e Kosovës ta reduktojë numrin e pjesëtarëve të saj në katër komunat veriore gradualisht dhe proporcionalisht me kushtin që të ketë sundim të ligjit.

“Për shkak se ka ekstremistë të ndryshëm dhe për shkak se ka grupe kriminale, duhet të ketë Polici të Kosovës në këto ndërtesa, unë kam kërkuar që Policia e Kosovës ta zvogëlojë numrin e policëve gradualisht, me sundimin e ligjit që bën që të përballen me drejtësi ata kriminelë që sulmuan KFOR-in dhe gazetarët. Për Policinë e Kosovës, çdo komunë është e njëjtë dhe veprimi i tyre bëhet duke u bazuar në Kushtetutë”, ka thënë Kurti.