BE: Kurti dhe Vuçiç të vijnë pa parakushte në takim, palët ende pa përgjigje

Bashkimi Evropian u bëri thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që t’i përgjigjen ftesës për një takim krize ne Bruksel, ndërsa paralajmëroi se shpërfillja e saj mund të ketë pasoja për të dyja palët.

Asnjëri nga udhëheqësit ende nuk i ka kthyer përgjigje shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell për një takim gjatë kësaj jave në kërkim të një rrugëdaljeje nga kriza e cila u thellua pas arrestimit të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe me 14 qershor.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se ende nuk është caktuar data e mundshme e takimit.

“Përfaqësuesi i lartë dhe gjithashtu vendet anëtare të Bashkimit Evropian presin një qëndrim më të arsyeshëm nga partnerët që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Të dy janë të ftuar dhe presim që të vijnë pa parakushte. Gjetja e një zgjidhjeje është para së gjithash në interes të qytetarëve në Kosovë dhe në Serbi. Dhe sigurisht, Bashkimi Evropian, shtetet anëtare po e shikojnë këtë sjellje, nëse ka vullnet për të përshkallëzuar apo nëse ka vullnet për të zgjidhur situatën”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha një ditë më parë se nuk do të takohet me kryeministrin Kurti, ndërsa do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitet në takim”, duke nënvizuar se ky do të jetë një vendim strategjik.