22 qershori është dita më e rëndësishme për Elvana Gjatën, që mban koncertin e parë recital në stadiumin “Air Albania”.
Këngëtarja vazhdon përgatitjet për koncertin “Dekada” që do të mbledhë mijëra dashamirës të muzikës së saj në stadium. Ndërsa këtë mbrëmje u shkëput nga provat për një intervistë ekskluzive në “Më lër të flas”.
Elvana tregoi detajet e koncertit që tha se “ka një jetë që e mendon”.
“Kjo është hera e parë dhe është historike që një artist shqiptar bën një koncert recital. Për mua është shumë krenari dhe përgjegjësi e madhe. Jam e lumtur dhe mirënjohëse që ia arrita kësaj dite. Është dëshirë shumë e hershmja imja”.
Mbi 12 mijë bileta janë shitur deri më tani, ndërsa binjakët Donald dhe Romeo Veshaj e pyetën artisten se cila ka qenë gjëja më e vështirë për t’u përgatitur.
“Është një mori gjërash që duhet ti krijojmë. Na duhet edhe t’i shpikim, sepse nuk ka asnjë strukturë. Çdo detaj është i ndërtuar e shumë dashuri”, u përgjigj Elvana, e cila përshkroi emocionin që ndjen për këtë event gjigant.
“E di çfarë emocioni që është… nuk mund t’ua shpjegoj. Unë kam shumë vite që bëj muzikë. Shumë vite eksperiencë dhe shumë gjëra i përjetoj akoma si fëmijë. Që në momentin e parë që doli reklama, biletat e para që po shiteshin, ishte një emocion kaq i madh… ka ende flutura në stomakun tim. Më vlon gjaku nga gëzimi, nga dashuria, jam shumë me fat”.