Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar të premten se është arrestuar njëri nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq me datë 29 maj.
Ai ka bërë të ditur se i arrestuari është Nemanja Vllaskoviq, ndërsa ka thënë se i njëjti do të ballafaqohet me drejtësinë për sulmet e kryera ndaj gazetarëve.
“Të gjithë sulmuesit dhe kriminelët do të sillen para drejtësisë, kjo nuk ka alternativë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka përgëzuar në fund Policinë e Kosovës për punën në hetimin dhe arrestimin e sulmuesit e gazetarëve.
“Vazhdojmë, të përkushtuar, për drejtësi e pa kompromis kundër milicisë fashiste”, ka përfunduar ministri.
Për arrestimin e Vllaskoviq ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ku thuhet se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të njësiteve policore, është arritur të identifikohet një person i dyshuar i cili me datë 29 maj 2023 në Leposaviq, kishte sulmuar gazetarët e disa mediumeve”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar (mashkull serb), i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Leposaviq dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.
Tutje, Policia ka thënë se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave të saja ligjore dhe kushtetuese, për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin.