Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se përgjegjësia për kthimin e tre zyrtarëve policorë të kidnapuar të mërkurën në Leposaviq nga forcat serbe është e kryeministrit Albin Kurti.
Të enjten në seancën plenare ku Kurti po raporton për ngjarjet në veri, Krasniqi ka thënë se duhet të ftohet faktori ndërkombëtar që të reagojë për këtë akt të Serbisë.
“Në këtë drejtim na duhet edhe mbështetja e aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës dhe duhet t’i ftojmë institucionet që të reagojnë dhe të dënojnë fuqishëm këtë akt agresioni të Serbisë, po ashtu edhe t’i ftojmë forcat e KFOR-it që të shtojnë vigjilencën e tyre në mbikëqyrjen e kufirit të Kosovës me Serbinë. Tani para së gjithash më e rëndësishmja është jeta e tre zyrtarëve policorë për të cilët as ne e siç duket as ju kryeministër nuk keni asnjë lajm as ku janë, as si janë e as çka po ndodh me ta. Përgjegjësia për kthimin e tyre në shtëpinë e tyre është e juaja kryeministër”, ka thënë ai.
Ai tutje e ka pyetur Kurtin nëse e ka mbështetjen e ndërkombëtarëve për të garantuar rikthimin e zyrtarëve policorë në Kosovë, pas “prishjes së marrëdhënieve”.
“Kemi pasur shumë paralajmërime javët e fundit në lidhje me këtë zbehje të bashkëpunimit dhe as nuk i keni dëgjuar e as nuk i keni marrë për bazë ato. Madje me disa prej tyre dhe jeni tallur duke shtyrë aleatët tanë që të distancohen dhe të marrin qëndrime kundër Kosovës. E sot kur ata na duhen më shumë për të garantuar rikthimin e zyrtarëve tanë policorë në Kosovë, a e keni këtë mbështetje të tyre? Nëse nuk e keni, pse nuk e keni”, ka pyetur ai.