Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit në Kosovë, ku tre policë u rrëmbyen dje nga forcat serbe gjatë një patrullimi në territorin e Koosvës, në vijë kufitare.
Nëpërmjet një postoimi në Facebook, Begaj thotë se rrëmbimi i policëve të Kosovës është një akt provokativ nga ana e Serbisë për të destabilizuar Koosvën dhe mbarë rajonin.
Presidenti Vegaj dënon më forcë rrëmbimin e policëve të Kosovës, ndërsa u bën thirrje autoriteteve serbe të lirojnë efektivët e Kosovës.
Sot ka nisur gjithasht mblidhja e Këshilli i Sigurisë në Kosovë.
Mbledhja vjen pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ku forcat serbe rrëmbyen tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Mbledhjet e Këshillit zhvillohen nën kryesimin e kryeministrit Albin Kurti, për çështje që lidhen me sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.
Detyrë e këtij Këshilli është rekomandimi i politikave dhe i strategjive për sigurinë. Lidhur me rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga policia e Serbisë, ka reaguar edhe KFOR-i.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar lidhur me ngjarjen që ndodhi në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Policia e Kosovës tha se tre zyrtarë të saj janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.
Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur policët dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Krerët shtetërorë në Kosovë e kanë dënuar këtë veprim, të cilin e kanë cilësuar si “akt agresioni”, duke kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë Serbinë dhe zyrtarët policorë të lirohen menjëherë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.
“Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonën Tresava-Batnjik pa miratimin e KFOR-it, sidomos me tyta të gjata”, tha Vuçiq në Radio televizionin e Serbisë (RTS).
Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.